Ndryshe nga dy bashkitë e tjera të qarkut Durrës (Durrësi dhe Shijaku), ku diferenca mes PS dhe dy rivalëve të saj PD dhe LSI është e dukshme, një gjë e tillë nuk po ndodh në bashkinë e Krujës.
Sipas të dhënave të KQZ-së, deri më tani në bashkinë Krujë janë numëruar 54 kuti nga 92 në total, ndërkohë që PS dhe PD ndahen me pak vota diferencë, shumë më ndryshe nga çka ndodhur gjatë numërimit të votave në Durrës e Shijak, ku diferenca mes dy forcave kryesore politike është e ndjeshme.
PS deri më tani ka marrë 9157 vota, ndërsa PD 8748 vota. Por nëse bashkohen votat e PD + LSI (1898 vota), aleatët Basha dhe Kryemadhi kanë më shumë vota sesa PS.
Në Krujë dhe Fushë Krujë, PS kandidon me ministren e bujqësisë Milva Ekonomi dhe deputetin Rrahman Rraja, ndërsa PD me dy kandidate gra, mësuesen Merita Bakiu dhe studenten e arkitekturës Andia Ulliri.
Aktualisht janë duke u numëruar kutitë e Thumanës ndërkohë që mbeten ato të Bubqit, Niklës dhe Cudhisë.
Kryetari i KZAZ 20 në Krujë, Ledio Çela tha për DurrësLajm se procesi i numërimit do të vijojë pa ndërprerje deri në numërimin e kutisë së fundit.
Një natë më parë, kjo KZAZ është gjobitur nga KQZ për shkak të vonesave në numërim. Por sipas Çelës, vonesat kanë ardhur për shak se kutitë u janë dorëzuar me vonesë dhe komisionerët e numëruesit kanë qenë të lodhur për ta nisur procesin menjëherë.
Deri më tani, me votat e siguruara në bazë qarku LSI i ka marrë një mandat PS, që numëron 7 mandate. Nëse ky trend vijon deri në fund dhe PS e mbyll qarkun Durrës me 7 mandate, rrezikon të mbetet jashtë listës kryeministri Edi Rama, i cili për hir të së vërtetës e ka siguruar tashmë një mandat deputeti në Vlorë, ku renditej i 8-ti në listë.
Në qarkun Durrës ka përfunduar procesi i numërimit vetëm në bashkinë e Shijakut, ndërsa vijon në Durrës e Krujë.





