Bashkia e Shijakut përmbylli me sukses një tjeter fazë të aplikimeve. Është faza e dytë për dhënien e Granteve si dëmshpërblim për shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit në bazë të nivelit të dëmit DS1, DS2, DS3. Administrata e bashkisë ka punuar intensivisht për lidhjen e këtyre kontratave.
Në një njoftim në Facebook, kryetari i bashkisë, Elton Arbana shkruan si më poshtë:
“Për të gjithë qytetarët që kanë aplikuar në platformën “Shtëpia ime”, në fazën e dytë të hapjes së saj në muajin korrik 2020, për të regjistruar shtëpinë e dëmtuar, NJOFTOJMË se bashkia e Shijakut ka përfunduar lidhjen e të gjitha kontratave për aplikuesit, kjo pas një pune intensive, pavarësisht pandemisë, për të mos vonuar dhënien e Granteve. Menjëherë, Kryeministri dhe Qeveria shqiptare ka akorduar këto dëmshpërblime që i takojnë familjeve të prekura sipas nivelit të dëmit DS1, DS2, DS3. Mirëpresim aplikuesit të paraqiten pranë Bashkisë ose Njësive Administrative ku jetojnë vetëm me një kartë identiteti. Jemi bashkia e parë që kemi përfunduar dhe këtë fazë aplikimesh për përfitimin e shumës së dëmshpërblimeve për çdo familje të prekur. Falë Kryeministrit Rama dhe Qeverisë shqiptare askush nga familjet e dëmtuara nga tërmeti nuk do të mbetet pa marrë dëmshpërblimin sipas dëmit të shtëpisë. Ku ka vullnet, ka zgjidhje”, thekson kryebashkiaku Arbana.





