Pak orë nga hapja e vitit të ri arsimor në Durrës, godinat e shkollave paraqesin një sërë problematikash në drejtim të infrastrukturës normale për një proces mësimor. Disa investime po kryhen në godinat arsimore, por pavarësisht problemeve që kanë, të gjitha shkollat do të hapin dyert për të pritur nxënësit mëngjesin e 11 shtatorit, deklaroi nënkryetari i bashkisë së Durrësit Florian Tahiri. 

Sipas Tahirit, disa prej godinave arsimore po i nështrohen rikonstruksionit, ndërsa të tjera mbeten ende në ndërtim e sipër. Kjo bën që mësimi në këtë qytet jo vetëm do të nisë me dy turne, me godina arsimore të papërshtatshme por edhe me mbingarkesa nëpër klasa. Pavarësisht se numri i shkolla ndër vite në këtë qytet është trefishuar, ende nuk është zgjidhur përfundimisht mbikapaciteti në shkolla.

Për këtë arsye, sqaron nënkryetari i bashkisë Durrës, Florian Tahiri, ka nisur puna për ndërtimin e tri shkollave të reja, një prej të cilave në qytetin e Durrësit.

Shkollat nëntëvjeçare “Marie Kaçulini” në Durrës, shkolla e Arapajt dhe e Draçit, janë tri godinat të cilët janë financuar për këtë vit arsimor.

Krahas ndërtimit të shkollave të reja në Durrës, sipas Tahirit, tri prej godinave ekzistuese po i nështrohen procesit të rikonstruksionit pasi ndodhen në kushte jo të duhura. Shkolla “Isuf Ferra” në Nishtulla pritet të rikonstruktohet në muajin nëntor, ndërsa kushtet për pritjen e nxënësve janë shumë të këqija.

Por, krahas gjendjes në të cilën ndodhen shkollat, përfaqësues të pushtetit lokal, por edhe të arsimit, thonë që asnjëra prej tyre nuk do të mbyllet, por do të jenë të hapura për të pritur nxënësit.

Ndjekim prononcimin e nënkryetarit të bashkisë Durrës.

K.H.