Në javën e ardhshme pritet që projekt-buxheti të kalojë në Këshillin Bashkiak të Durrësit. Në një prononcim për gazetën “Dyrrah”, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka deklaruar se në javën e fundit të muajit mars, projekt-buxheti i Bashkisë së Durrësit do të kalojë në Këshillin Bashkiak. Dako ka bërë me dije se miratimi i buxhetit është një domosdoshmëri, pasi sipas tij çdo vonesë e mundshme nga të djathtët në Këshillin Bashkiak do të rëndojë mbi investimet dhe interesat e qytetarëve durrsakë.
Dako ka deklaruar në të njëjtën kohë se dhe moskonstituimi i Këshillit të Kulturës po jep pasoja direket në financimin e projekteve për kulturën në qytetin bregdetar. Kryetari i këshillit Bashkiak të Durrësit, Indrit Hamiti, ka dhënë një pasqyrë tjetër të gjendjes duke deklaruar se administrata e bashkisë akoma nuk e ka sjellë draftin e buxhetit në Këshillin Bashkiak. “Kemi kërkuar disa herë draftin paraprak, por akoma nuk e kanë sjellë”, ka konfirmuar kryetari i Këshillit Bashkiak.
Sipas Hamitit, buxheti ka nevojë që të bëhet transparent në mënyrë të tillë që dhe këshilltarët të njihen paraprakisht përpara se të miratohet në këshillin Bashkiak. Pas nisjes së tryezës për mjedisin në lidhje me transparencën dhe efikasitetin e fondeve që do të përdoren në këtë drejtim, Hamiti ka deklaruar se do të iniciohen dhe tryeza të tjera me aktorë dhe grupe interesi që kanë të bëjnë me turizmin, për të orientuar investime në përputhje me zhvillimet bashkëkohore të turizmit.
Në të njëjtën kohë tryezë tjetër e mundshme do të jetë dhe ajo me arkitektë, në mënyrë që investimet në qytetin bregdetar të jenë në harmoni me zhvillimet urbanistike dhe planin e ri rregullues të qytetit tonë.