Këshilli i bashkisë u ka dhënë fund mbajtjes pezull të disa projekteve që kanë të bëjnë me privatizimin apo jo të kabinave në Plazh. Objektet e ndërtuara në vitet 1970 e më pas nuk janë shfrytëzuar më si rezidenca të përkohshme për pushues pasi në vitet ‘90 e më pas ato u zunë nga familjarë të pastrehë. Këshilli bashkiak kohë më parë ka marrë në shqyrtim procedurën e privatizimit të vilave nr. 20, 21, 36, 38, 40, 41, 42, 35 dhe 51 që ndodhen në lagjen numër 13 të Durrësit dhe privatizimi ose jo i tyre ka hapur debatet mes këshillit dhe bashkisë. Pjesa më e madhe e këtyre objekteve janë rrënuar, pasi personat që jetojnë në to nuk kanë vënë dorë për shkak të pasigurisë nëse do të mund të privatizojnë këto godina apo do t’u duhet t’i lirojnë një ditë të afërt. Janë dhjetëra familje në Plazhin e Durrësit që kanë 20 vite pritje për të bërë të tyren një aneks të kabinës me sipërfaqe që shkojnë nga 35 m2 deri në 50 m2 dhe që nuk kanë asnjë lloj perspektive për të mbajtur një familje në kushtet komode jetese. Në periudha fushatash zgjedhore, drejtuesit e Bashkisë së Durrësit por edhe kandidatë e pushtetarë, u kanë premtuar banorëve të përfshirë në listën e të pastrehëve se do t’i bëjnë pronarë të këtyre godinave që njihen edhe si vila.

Tre vite më parë këshilli i bashkisë ka vendosur të kryhen veprimet e privatizimit të objekteve, por vendimi nuk u zbatua për arsye të pasqaruara plotësisht. Nëntë objekte vila janë përfshirë në procesin e diskutimit në mesin e këshilltarëve të cilët kanë pasur në tryezë edhe informacionin e plotë të fazës që nga ndërtimi i kabinave deri në momentin për të cilin diskutohen. Bashkia dhe këshilli bashkiak disa herë janë përplasur për privatizimin e kabinave të plazhit, për procedurën që duhet ndjekur në këtë drejtim. Sipas bashkisë, vilat nr. 20, 21, 36, 38, 40, 41, 42, 35 dhe 51 janë inventar i ndërmarrjes komunale që ka varësi tek bashkia dhe se këshilli nuk ka asnjë lloj të drejte për të vepruar.

Këshilli ka reaguar, duke kujtuar ligjin nr. 9232 të datës 13.5.2004, ndërkohë që është shprehur se do t’i shkojë deri në fund procesit të lënë qëllimisht pezull. Janë dhjetëra familje të pastrehë të sistemuar në këto kabina. Bashkia thuhet se ka “zbuluar” pronarët e trojeve të cilët, sipas saj, kanë të drejtën e parablerjes, veprim që do të nxirrte në rrugë dhjetëra e qindra persona të pastrehë. Realisht një hap i tillë ka nisur të ndërmerret dhe është bërë efektiv në Plazh, duke bërë që shumë banorë të lënë strehën për të dalë në rrugë të madhe. Veprimi është cilësuar si hap ndëshkues për të pastrehët. Bashkia, sipas tyre, nuk është interesuar aspak të mendojë për t’i dhënë zgjidhje të pastrehëve. Ata shkojnë edhe më tej, duke thënë se bashkia ua ka dhënë kabinat e plazhit personave që nuk kanë pasur kurrë pronësinë mbi to dhe as nuk janë trashëgimtarë të pronave. Ky është problem i njohur pasi çështja ripërsëritet kryesisht në kohë fushate zgjedhore.