Emri i Masimiliano Nikolinit, një italiani 36 vjeçar, që u përdor nga policia shqiptare për të çuar në arrest, nën akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit koordinatorin e grevës së ish të përndjekurve Asllan Patrioti, rikthen në qendër të vëmendjes shpërndarjen abuzive të titujve të nderit për shtetas të huaj e shqiptarë nga njësitë e pushtetit vendor.

Ai është hetuar në Itali si mashtrues, pasi është paraqitur në Shqipëri si konsull italian dhe është i përfshirë në skema të mashtrimit bankar. Një individ që nën pamjen dhe veshjen e kujdesshme, hiqet me tituj që nuk i ka, arrin të marrë vëmendjen e autoriteteve shqiptare dhe të kërkojë nderim prej tyre për “kontributin” e dhënë.

Ky person jo vetëm që përdoret nga autoritetet policore shqiptare për të akuzuar persona të tjerë, konkretisht Patriotin dhe ky bashkëpunim është një histori më vete që duhet hetuar nga SHKB dhe struktura të tjera hetimore, por arrin deri aty sa të tërheqë dhe vëmendjen e autoriteteve të larta vendore të qytetit të Durrësit. Ka qenë vetë Massimiliano Nicolini që i pyetur nga media italiane ka pohuar se është në pritje të nderimit me titullin “Qytetar Nderi i Durrësit”.

Interesimi ynë pranë bashkisë së Durrësit dhe shoqatës intelektualo-kulturore “Durrësi” ka marrë reagime që përplasen mes tyre, ndërkohë që kuptohet qartë se propozimi për nderimin e këtij shtetasi italian ka ardhur nga një person fare pranë kryetarit të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Ai i ka sugjeruar shoqatës që duke ndjekur procedurën përkatëse ta propozojë Nikolinin për titullin e lartë, pasi ka dhënë kontribut për Durrësin. Nuk saktësohet se çfarë kontributi ka dhënë ky individ për qytetin e Durrësit apo dhe vetë institucionin e bashkisë, por propozimi i diktuar nga bashkia ka mbetur në komunikim verbal.

Sekretari i shoqatës “Durrësi” Shpëtim Metani thotë se 6 muaj më parë është bërë një bisedë, që bashkisë dhe Këshillit Bashkiak, t’i propozohet si kandidaturë për titullin “Qytetar nderi” shtetasi italian Massimiliano Nicolini, po “ne nuk kemi paraqitur një propozim me shkrim dhe me firma për të mbështetur këtë kandidaturë, gjithçka ka mbetur e pashkruar” për në një moment tjetër. Drejtori i kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit, Adrian Gurra tha për gazetën se nuk ka asnjë propozim me shkrim për nderimin e këtij personi në bashkinë e Durrësit, ndërsa nëpërmjet zëdhënësit të bashkisë Dorian Agolli padijeni për këtë shpreh edhe shefi i kabinetit të kryetarit, z.Lavdosh Beqiraj. Zyrtarisht deklarohet se një propozim i tillë nuk ekziston.

Në dokumentin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane, emri i Nikolinit nuk figuron dhe as nuk ka figuruar as para një viti si Konsull Nderi, ndërkohë që ai vetë, për median italiane atëherë la të kuptohet se ka qenë keqkuptim i shqiptarëve dhe se ai mban urdhrin e nderit të Varrit të Shenjtë, një urdhër honorifik i Bizantit.

Ai ka shtuar se “në të vërtetë është duke pritur që të bëhet Qytetar Nderi i Durrësit, por edhe Konsulli i Nderit i Shqipërisë”. Një vit pas hetimit për përdorim të paligjshëm të një titulli nderi, emri i tij ende përflitet për marrjen e një titulli nderi për ta çuar në vend në mos punën e tij për t’u bërë Konsull Nderi pas skandalit të plasur në Itali për të, të paktën atë të qytetarit të nderit në Durrës, një titull që mund t’i hyjë në punë për të zgjeruar i sigurtë terrenin e aktivitetit të tij.

Ky person ka arritur deri aty sa të ulet nëpër tryeza qeveritare, ashtu si Damir Fazlliç disa kohë më parë. Ai ka qenë anëtar i delegacionit shqiptar të Ministrisë së Ekonomisë, në kohën kur ky dikaster drejtohej nga Dritan Prifti, në Forumin e Veronas mbi investimet në Europën Lindore dhe ka qenë gjithashtu një nga arkitektët e Memorandumit të Mirëkuptimit midis Ministrisë Shqiptare të Bujqësisë dhe rajonit Veneto në Itali. Madje ka dhe një incident të bërë publik në shtetin fqinj me zv/ministrin e Bujqësisë Tokli Thomaj.

Në Shqipëri, ku zyrtarisht deklaron se ka ardhur në 2008 me misione ndihme për vendet e varfra ai është shndërruar në sipërmarrës që punonte me kompani të grupit Garatex, një grup të cilit nuk i dihet saktësisht aktiviteti në Shqipëri dhe më pas me Ente Fiera sh.a. Nikolini paraqitet si një person i shkathët që mashtron në prezantimin e vetes, arrin të shoqërojë dhe të këshillojë e bëhet personazh i rëndësishëm mes qeveritarësh, të shkruajë letërsi të verdhë dhe deklarojë se ajo bazohet në dokumenta dhe ngjarje reale, të hidhet nga fusha e shoqërisë civile në botën e biznesit dhe në Shqipëri duket se ka gjetur terrenin e artë për këtë.

Kush është M. Nikolini?

Masimiliano Nikolini është një 36 vjeçar nga Brescia e Italisë dhe sipas atij vetë, biografi e publikuar online, në vitin 2001, kur ishte 25 vjeç emërohet administrator i kompanisë Olivetti ICS, duke u bërë kështu një nga administratorët italianë më të rinj në botë. Në 2007 vendos ta lërë këtë për t’u vënë, sipas tij në shërbim të aktiviteteve humane mbi bazë solidaritetin me vendet e varfra dhe bëhet president i një organizate katolike që do ta çojë në vende të ndryshme të botës.

Në 2008 mbërrin me misione në Shqipëri dhe Kosovë në mbrojtje të fëmijëve viktima të trafikut të organeve dhe shitjes mes familjeve. Duhet të jetë pikërisht ky momenti kur Nikolini ka rënë në kontakt me drejtues të bashkisë së Durrësit dhe ka mundur të fitojë besimin e tyre, ndonëse nuk dihet se çfarë ka bërë konkretisht në këtë fushë për komunitetin e Durrësit. Në 2010 nis shkrimin e një romani të bazuar mbi fakte dhe dokumenta, sipas tij, të vërteta.

Në 2011 e boton librin e tij, por edhe arrestohet nga autoritetet italiane. Rikthehet në Shqipëri pasi del nga qelitë e vendit të tij. Këtu ka gjetur të gjitha mundësitë për të ushtruar aktivitetin e vet (fillimisht misionar e më pas të shfaqë aftësitë prej menaxheri dhe këshilltari) dhe për t’u përdorur e për t’i përdorur autoritetet e vendit të vogël, të djathtë a të majtë qofshin. Karizma e tij ka funksionuar, deri aty sa dikujt t’i shkojë ndërmend ta propozojë për “Qytetar Nderi”.

Në fund të fundit prezantimi i tij si Konsull Nderi nuk është vënë në asnjë rast në dyshim, veprimtaria humane thuajse ekzistonte, libri me autorësinë e tij e bën personazhin dhe më të besueshëm, por përfshirja e një njeriu në një histori për të dëmtuar imazhin e një personi tjetër në favor të shërbimeve policore shqiptare e bën Nikolinin një personazh shumë kontravers dhe nuk dihet se deri në ç’pikë të përdorshëm. Mbase është një agjent i infiltruar që arrestohet dhe lirohet, i përdor njerëzit që njeh, qofshin këto dhe përfaqësues shërbimesh shtetërore, por edhe lejon të përdoret prej tyre. Në qendër të librit të vetëm të tij është një nga njerëzit e ODA-s, organizatës ultrasekrete të Vatikanit.

Një libër për spiunazhin

Nikolini është dhe autor i librit “Spiuni që lutej”, libër i konsideruar si një rrëfim që sjell në vëmendjen e lexuesve atë që realisht ndodh brenda mureve të Selisë së Shenjtë në Vatikan. Dëshmi nga anëtarë të organizatave ekstremiste të kishës së Romës dhe përpjekje për t’i dhënë shpjegim mistereve të shumta të historisë moderne. Në qendër të librit është një agjent i sigurimeve të fshehta të Selisë së Shenjtë i cili gjatë udhëtimit nga Vatikani në Kinë, duke kaluar nëpër Afganistan, Shqipëri dhe Pakistan, përballet me një krizë të fortë të ndërgjegjes, krizë që ka në sfondin e saj krizën botërore që do e çojë botën drejt apokalipsit. Dashuria për një grua që e mendonte të humbur dhe guximi janë forcat që e shtyjnë, sipas autorit, agjentin Newton May që të udhëtojë për të informuar mbi të vërtetën e fshehur për 2 mijë vjet, në një lojë pushteti që luhet në kurrizin e njerëzve të thjeshtë. Përdorimi i dokumenteve zyrtare, burimeve të agjentëve realë të shërbimit më të fshehtë dhe më të heshtur të botës, aventura e Njutonit nuk shihet thjesht si një roman, por si një dritare në botën e sotme moderne mbi ngjarjet e dekadave të fundit dhe përballja e tyre me historinë. Sipas autorit, në libër gjallojnë histori të vërteta që vijnë si një roman dhe që të përfshijnë në një atmosferë thuajse reale gjatë leximit.