Vijojnë replikat dhe kundërreplikat mes kreut të PD Durrës, Jonuz Myshketa dhe bashkisë së qytetit.
Ndërsa bashkia i kujtoi Myshketës, që është njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Bashkiak, se kishte abstenuar gjatë votimit të buxhetit të këtij viti, ky i fundit, në një kundërreagim shpjegon se vota abstenuese e tij dhe këshilltarëve të tjerë të PD ishte sepse bashkia nuk kishte përfshirë në buxhet asnjë nga propozimet e grupit demokrat.
Njëkohësisht Myshketa vijon duke i përsëritur bashkisë të njëjtat pyetje lidhur me pallatin me dëme DS4, në lagjen nr.17, që i adresoi edhe gjatë deklaratës për shtyp, por që në reagimin e bashkisë nuk morën përgjigje:
“Kush mban përgjegjësi nëse aty ndodh ajo që nuk urohet kurrë një tragjedi e dytë në qytetin tonë dhe kjo vetëm per shkak të vonesave, neglizhencës, papërgjegjshmërisë, abuzimit etjjj.???”
Kush duhet të mbajë përgjegjësi për dëmin financiar të shkaktuar e këtu i referohem vetëm pagesave të bonusit, të cilit i mbarojnë efektet vetëm në momentin që objekti është i sigurtë për t’u jetuar dhe zvarritjet si rasti në fjalë këto para i çon dëm, ku me shumën e përdorur mjaftonin për të bërë rregullimet e nevojshme”.
100 familje durrsake jetojnë në një godinë me shkallë dëmi DS4, duke vënë në rrezik çdo ditë jetën e tyre, pasi prej 10 muajsh u është ndërprerë dhënia e bonusit të qirasë.
Në një kohë që bashkia bëri të ditur në reagimin e saj se pallati nr.62, në rrugën “Neki Libohova” do të niste së shpejti të riforcohej me fondet e bashkisë, Myshketa i kujton se “objekti në fjalë duhej riparuar përmes fondeve të rindërtimit si pasojë e tërmetit e jo përmes financimit nga buxheti i bashkisë pra prej taksave te qytetarëve durrsakë”.
3 ditë më parë, “DurrësLajm” publikoi shkrimin me titull “VIDEOLAJM/ Në Durrës bashkëjetohet me vdekjen”, ku nënvizonte rrezikun e madh që u kanoset familjeve që banojnë në këtë godinë 12 katëshe, të dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Deklarata e plotë:
Në radhë të parë sinqerisht më vjen mirë që ka një reagim nga bashkia për këtë çështje, pasi reagimet sjellin përplasje qëndrimesh, opinionesh që duhet të përkthehen vetëm në interes të qytetit dhe qytetarëve, por më duhet të sqaroj disa pika në lidhje me qëndrimet dhe koherencën time, të cilat vihen në dyshime.
Pikë së pari, dua të sqaroj që vota ime (jonë) si keshilltar bashkiak i (të) Partisë Demokratike abstenuese për buxhetin do të thotë që nuk bie dakort me të gjitha pikat e paraqitura aty, e aq më tepër që duhet të ishin prezantuar 2 ose 3 variante a modele e mbi të cilat të diskutohej, gje e cila nuk u mundesua.
Në emër të grupit të këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike, bëmë propozimet tona, të cilat nuk ishin në asnjë zë të buxhetit të prezantuar.
Vota abstenuese patjetër pasi nuk është e mundur të votohen ato pika që mund të biem dakort nga këndvështrimi ynë dhe pjesa tjetër kundër, pasi bien ndesh me qytetin dhe qytetarët sipas gjykimit tim (tonë) dhe këto përbënin pjesën më të madhe të pikave, por pikërisht sepse nuk jam dhe nuk jemi kundër zhvillimit të qytetit, ishte ajo votë.
Jam (jemi) anatemuar dhe nga kolegë të opozitës kur kam (kemi) shprehur dakordesinë me votë pro në rastet e votimeve në parim të investimeve në qytet, pasi gjykoj se sjellin zhvillim pa u errësuar në gjykim, thjesht se kjo apo ajo nismë vjen nga maxhoranca e a priori duhej votuar kundër, kjo s’ka për të ndodhur, pasi aty jemi të përfaqësojmë qytetarët që na kanë besuar dhe nëse nismat e kujdo kahu politik qofshin ato nëse janë në shërbim të qytetit do votohen pro ashtu si dhe kundër kur bien ndesh interesit qytetar.
Të kthehemi tek rasti i pallatit në lgj 17, ku pas 5 vitesh situata nuk ka ndryshuar. Ndërkohë rrezikohen jetët e banorëve të cilët detyrohen të rikthehen në banesat e tyre në gjendje të pabanueshme, ku nuk duhet njeri të afrohet për sigurinë e tyre e jo më te jetohet aty.
Kush mban përgjegjësi nëse aty ndodh ajo që nuk urohet kurrë një tragjedi e dytë në qytetin tonë dhe kjo vetëm per shkak të vonesave, neglizhencës, papërgjegjshmërisë, abuzimit etjjj.???
Objekti në fjalë duhej riparuar përmes fondeve të rindërtimit si pasojë e tërmetit e jo përmes financimit nga buxheti i bashkisë pra prej taksave te qytetarëve durrsakë. Ndërkohë kemi para të rindërtimit të alokohen gjetiu.
Në kohën e duhur dhe jo pas 5 vitesh akoma nuk ka filluar.
Nëse dhe fillon tani, banorët duhet të subvencionoheshin sot e kësaj dite përmes bonusit të qirasë e jo t’i ndërpritet një e drejtë e tyre deri sa objekti nuk është riparuar.
Kush duhet të mbajë përgjegjësi për dëmin financiar të shkaktuar e këtu i referohem vetëm pagesave të bonusit, të cilit i mbarojnë efektet vetëm në momentin që objekti është i sigurtë për t’u jetuar dhe zvarritjet si rasti në fjalë këto para i çon dëm, ku me shumën e përdorur mjaftonin për të bërë rregullimet e nevojshme.
Pra e nderuar bashki që je dhe e imja, pasi jetoj në këtë qytet dhe pres shërbimet më të mira prej teje, pres një trajtim sa më dinjitoz prej teje si qytetar, unë shoh inkoherencë nga strukturat e shtetit, shoh një propagandë të theksuar tash mbi 12 vite nga kryeministri i vendit tim, ku bëmat dhe rezultatet nuk kanë nevojë për koment.
Ende shumë pallate të parikonstruktuara, ende shumë pallate për t’u shembur dhe më e keqja, 10-muaj dëshpërim, demoralizim dhe dënim për durrsakët. Këto janë 3D-të që po u japin familjeve duke mos u dhënë bonuset e qirave.
Të jeni të bindur që do jem përherë në krah të qytetit ku u linda, u rrita dhe po rris fëmijët e mi ndaj çdo rasti abuzimi, neglizhence, burokracie nga cilido pushtet qoftë ai.
Modeli im i të bërit politikë është dhe do mbetet vetëm përmes kuadrit ligjor, gjuhës qytetare, dhe bazuar mbi fakte e të vërteta në koherencë të plotë me filozofinë ku besoj fort.