Tiranë, 10 qershor 2014 – Bashkia e Tiranës ka prezantuar paraditen e së martës projektin e saj për realizimin e tramit në kryeqytet, një vepër që sipas kryetarit Lulzim Basha do të përmirësojë infrastrukturën e transporteve në Tiranë. 

Në një takim të organizuar posaçërisht për këtë projekt, kryebashkiaku Basha ka publikuar detajet e tij dhe ka theksuar se vepra do të lehtësojë jetën e përditshme të banorëve të kryeqytetit. 

“Trami do të jetë i linjës Kombinat-Kinostudio. Transporti do të përgjysmojë kohën e udhëtimit në 24 minuta pasi linjat e tramit janë të papenguara nga trafiku. Transporti me të do të ulë kostot dhe do ofrojë një shërbim më cilësor që do të orientojë më shumë qytetarë drejt përdorimit të transportit publik. Gjithashtu, linja prej 9 KM llogaritet të transportojë fillimisht 90 mijë pasagjerë në vit”, ka deklaruar Basha. 

Sipas tij, kostoja e transportit parashikohet të jetë me biletë 50 lekë për person, ndërsa me abone 41 lekë për person. Ndërkohë që kostoja e përgjithshme e projektit llogaritet të jetë mes 120 dhe 125 milionë euro. 

“Realizimi parashikohet me konçesion dhe partneritet publik-privat. Përfitim direkt për ata qytetarë që nuk do ta përdorin shpesh tramin do të jetë përmirësimi i cilësisë së mjedisit. Trami, që funksionon me energji elektrike, do sjellë një përmirësim të prekshëm të ajrit të Tiranës”, ka saktësuar Basha. 

Në fund të fjalës së tij ai i ka bërë edhe një apel ish-kryetarit të bashkisë, sot kryeministër, duke e ftuar që të ofrojë bashkëpunimin e tij për këtë projekt. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/