Lajmi për prishjet e shtëpive të tyre i ka shokuar banorët e rrugës “Isuf Ferra” në Durrës. Shenjat me bojë të kuqe të bëra në godinat një apo dy katëshe, në të dy anët e aksit që përshkon zonën që njihet si “Çezmja e ferrës”, kanë qenë sinjali i parë, që kanë marrë se aty do të zbatohej një projekt infrastrukturor.
Por siç pohojnë dhe vetë, askush nga njësia administrative, bashkia apo deputetët nuk i ka informuar mbi arsyen pse do të prishen shtëpitë e tyre.
Të ndodhur para faktit se një ditë më parë në Këshillin Bashkiak u miratua lista e shpronësimeve për projektin “Lidhja e Currilave me rrugën “Aleksandër Goga” banorët kërkojnë shpronësime me vlerën e tregut ose sistemim nga ana e bashkisë.
Dashamir Nova është një nga banorët e kësaj lagjeje prej dekadash. Ai ka lindur tek një shtëpi në lagjen nr.1, mbi amfiteatër dhe pas zbulimit të monumentit antik, familjen e tij e sistemoi regjimi i kohës në këtë zonë. Të njëjtën praktikë, ai kërkon të ndiqet edhe në këtë rast, që shpronësimi po bëhet për interes publik.
Një ditë më parë, në Këshill Bashkiak u miratua vlera e shpronësimit për prishjet në këtë zonë, e cila kap vlerën 936,536,189 lekë.


Në relacionin e parë, vlera e shpronësimeve ishte 867.776.164 lekë, por pas gabimit në mbledhje që ishte bërë nga grupi i punës, shuma u rrit me rreth 68.7 milionë lekë. Përpara mbledhjes së KB-së, përfaqësues nga familjet që preken nga prishjet protestuan para bashkisë, për të kundërshtuar vlerën e shpronësimeve.
M.B.





