Nga Aleksandër Cangonja
Para nje shekulli ekzistonte një binom pozitiv midis shteti dhe privatit në funksionin e të mirës publike. Bizneset e kohës të cilat dhe përbënin motorrin ekonomik në fushën publike duke bashkëpunuar me pushtetin lokal për të mirën publike arrini dhe bënin gjëra të mira, këto të mira sot vlersohen edhe nëse në fakt ngeleshin vetëm në tentativë për fajin jo të tyre kuptohet.
Rasti konkret bëhet fjalë për një të mirë publike jetike në qytetin e Durrësit, për ujësjellësin. Durrësi prej shekujsh pikën e dobët të saj ka pasur furnizimin me ujë të pijshëm, kjo për shkak te mungesës së burimeve nënujore, pavarësisht puseve dhe çezmave publike, uji që konsumonin durrsakët sidomos pjesa më e vobektë e saj nuk ishte i konsumueshëm, i dëmshëm për shëndetit dhe faktor kryesor i përhapjes së sëmundjeve epidemike si malaria.
Bashkia e Durrësit e asaj kohe duke parë nevojën e madhe për mënyrën e gjetjes së burimeve ujore të pijshme, me anën e inxhinierit italian Mario Fols nisi ekspeditat dhe mbas disa testimeve në vende të ndryshme në Durrës, konstatoi se vetëm një burim ujor i gjendur në kodrën e Shënavlashit ishte i lejueshëm të konsumohej nga popullsia. Inxhinieri italian i siguronte Bashkisë se ky burim ujor ishte i mjaftueshëm për një popullsi prej 10’000 banorësh në mënyrë që të ndahet në katet e banesave private. Kosto e kësaj vepre sipas inxhinierit italiane ishte prej 240000 deri në 260000 Franga Ari, shumë kjo e pa përballueshme prej Bashkisë së Durrësit.
Financimi si problem, dhe ideja e monopolit të ngarkim-shkarkimit në Portin e Durrësit
Financimi i vepres së ujësjellësit ishte një problem i madh, kjo për shkak se një Bashki si e Durrësit nuk e kishte mundësi këtë gjë. Në unison me njëra tjetrën Bashkia dhe Prefektura e Durrësit organizoi një takim me tregtarët më të mëdhenj të këtij qyteti në sallën e Bashkisë me datë 10 Janar 1927 për të kërkuar një mundësi të re financimi prej tyre. Mbas disa diskutimesh u mendua se Bashkia për të pasur më shumë të ardhura por edhe për të rritur cilësinë e proçesit të ngarkim-shkarkimit në Portin e Durrësit duhet të monopolizojë këtë shërbim të cilën deri në atë moment e kryenin dy shoqëritë e huaja të transportit detar ajo italiane “Puglia” dhe ajo jugosllave Jadranska. Në fakt në asnjë port tjetër i vendit shërbimin e ngarkim-shkarkimit nuk e bënin shoqëri të huaja, prandaj dhe për në Durrës u mendua që shërbim të bëhej bashkia ose nga një shoqëri shqiptare e formuar në Durrës.
Bujaria e tregtarëve durrsakë
Deklarata që tregtarët Durrsakë lëshuan bashkarisht në sallën e Bashkisë, ku u zotonin se nëse qeveria ja jep të drejtën e monopolit të proçesit të ngarkim-shkarkimit Bashkisë së Durrësit, atëhere ata si tregtarë të këtij qyteti për rregullimin e cilësisë së jetesës së qytetit ishin të gatshëm ti paguanin taksën e këtij proçesi deri më 1 lek më shumë sipas vlerës së mallit për kuintal pra ma tepër mbi tarifën aktuale të ngarkim-shkarkimit, një xhest ky për tu vlerësuar nga tregtarët Durrsakë, më poshtë deklarata e tyre:
“Deklaratë
Na tregëtarët e Durrësit të mbledhun sot në sallonin e Bashkiës nën kryesiën e Z. Komiserit tue marrë parasysh nevojën e domosdoshme qi ka Qyteti i Durrësit për me sjellë një ujë burimi potabel gjith ashtu tue marrë parasysh ngushticën e buxhetit të Bashkiës dhe art. 2 të pjesës financjare të Ligjit Bashkiëve, vendosëm dhe deklarojmë se për me i ba ballë shpenzimevet të mëdhaja qi nevojitet sjellja e ujit në fjalë, Bashkia me anën e Qeverriës të mundet të marri mbi cedi monopolizimin e shkarkimit të sendeve tregëtare qi importohen dhe exportohen në Porton e Durrësit, gjith ashtu zbritjen e pasagjerve.
Shtojmë se për veç tarifes së sodme jemi gadi me pasuë kët qëllim të shenjtë deri më nji (1) lek si mas vleftës të mallit pë kujtal ma tepër mbit tarifen e shkarkimit të sodshëm.
Durrës më 10.I.927.
Kryetar’i Dhomës Tregëtis
Hysejn Halimi
Tregëtar
Aristidh Leka
Vasil Bakalli
Besim Hamdi
Mustafa Kosova
Muhamed Dakoli
Vangjel Spiru
Xheladin Kuqi
Ermulla Gjata
Xhaferr Qosja
Dhimitër Theohari
Hysen Fani
M.Leka
Ismail Beja
Kristaq Zaguridda
Ismail Beshiri
Ali Veli
Komiser’i Bashkiës
D.Dervishi “
Prishja e planit erdhi nga Tirana.
Mbas zotimit të tregtarëve Durrsakë, ishte dhe vetë Bashkia që kërkonte rrugë të tjera financimi. Nga një telegram i Prefektit të Durrësit Abedin Nepravishta drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme se Bashkia e Durrësit dëshiron të hyjë në marrëveshje me institutin e Bankës së Gjenevës për marrjen e një huaje deri në 700000 franga Ari me kamatë prej 8% në vit. Prefektura e këtij qyteti i kërkonte Ministrisë një përgjigje sa më parë në mënyrë që të autorizonte Bashkinë në lidhje me huanë në Bankë Zviceriane. Gjithsesi i gjithë ky proçes sa dashamirës aq dhe mirëbërës ngeli në tentativë, për shkak se influenca italiane në strukturat e larta shtetërore ishte aq e madhe saqë konsullata italiane u ankua në Ministrinë e Jashtme ku Ministër ishte Fejzi Alizoti me pretekstin se Monopoli i ri i Bashkisë binte në kundërshtim me Traktatin e Tregtisë të lidhur midis dy shteteve. Kjo ishte një nga arsyet që i gjithë proçesi u ndalua dhe u harrua më pas në vitet në vazhdim.





