Sot në orën 09:30 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të japë vendimin për Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Njeriu më i lartë në kupolën e drejtësisë shqiptare, rrezikon të mos e kalojë Vettingun. Trupa e KPK deklaroi seancën e kaluar në datë 8 qershor se Kryetari i Gjykatës Kushtetuese rezulton me probleme në justifikimin e pasurisë së tij, edhe pse DSIK dhe KLD kanë deklaruar se ai plotëson kriteret e pastërtisë së figurës dhe aftësimit profesional.
KPK ka hetuar pasurinë e tij, dhe 3 apartamente të cilat përdor Bashkim Dedja janë me burime të dyshimta e të pajustifikuara. Prona e parë e dyshimtë është një apartament në Tiranë me sipërfaqe 146 metër katror dhe një garazh 15 metra katrorë, me vlerë 180 mijë euro. Dedja kishte deklaruar se 120 mijë euro i kishte marrë kredi për 20 vjet, ndërsa 35 mijë euro të tjera i kishte kursime ndër vite të tijat dhe bashkëshortes. 25 mijë eurot e tjera Bashkim Dedja kishte deklaruar se ja kishte marrë hua vëllait dhe kunatit.
Por, KPK ka verifikuar se në datën e huamarrjes nga kunati deklaruar në aktin noterial, kunati nuk ka qenë fare në Shqipëri. Më pas Dedja ka ndryshuar deklarim duke thënë se 10 mijë euro i kishte marrë nga babai i kunatit, por KPK ka verifikuar paaftësinë paguese të kunatit për të dhuruar para.





