Itali, 11 mars 2014 – Kur e mori në telefon i vëllai, ai gati kishte mbërritur në Tiranë. “Të kërkojnë karabinierët”,- i tha, sepse nuk donte t’i tregonte në telefon se çfarë kishte ndodhur. I është dashur të instistojë Bashkim Dobrushit për të mësuar të vërtetën për fatin e tre vajzave të tij, të vrara me thikë nga ish gruaja e tij.
«Edhe pse nuk shkonim më mirë, nuk kishte probleme mes nesh. Mund t’i shihja vajzat e mia të mrekullueshme kur të doja. Nuk mund ta fal kurrë. Tani për mua ajo është asgjë”,- u thotë orë e minutë të afërmve të tij, që në këto momente mjaft të vështira për të mundohen t’i qëndrojnë afër e ta mbrojnë. Ai qëndron prej më shumë se një dite në apartamentin me dy dhoma, në kat të parë të një pallati ngjyrë rozë, që antenën satelitare në ballkon e ka të kthyer nga Tirana.
Shtëpia ku u konsumua tragjedia e kësaj familjeje shqiptare është rreth 300 metra larg. Hetuesit që kanë hyrë momentet e para në atë apartament e kanë të vështirë të tregojnë çfarë kanë parë. Vija e gjakut në dysheme tregon se njëra nga vajzat është tërhequr për t’u sistemuar më pas në shtratin ku e ëma, Edlira Dobrushi, i kishte vendosur të tre bijat e saj. Sipas hetuesve, vajza më e vogël, Sidni, vetëm 3 vjeç, ka vdekur menjëherë dhe duket se nuk ka kuptuar asgjë. Njëra nga vajzat, besohet më e madhja, ka telefonuar në polici në momentet kur po ndodhnin vrasjet, por oficeri i shërbimit ka dëgjuar veç zhurma dhe të bërtitura e më pas telefonata është ndërprerë. Pas vrasjes së të bijave, Edlira ka qëndruar disa orë duke i rregulluar në shtrat e duke i parë, e më pas në një tentativë të dështuar ka vendosur t’i japë fund jetës. E paaftë ta çonte deri në fund synimin e saj ka trokitur në mëngjes herët në derën e një fqinji dhe e përlyer me gjakun e saj e atë të bijave i ka thënë: “Vajzat e mia nuk jetojnë më”.
Mbi bankën ku ulej Simona, shoqet e saj kishin vendosur lule mëngjesin e së hënës. Ndërkohë fqinjët kujtojnë se vajza e dytë, Keisi ishte mjaft e rregullt. Karitasi e ndihmonte herë pas here këtë familje, ndërkohë që Edlira merrej shpesh me punë dore për të fituar ndonjë të ardhur. Asgjë s’të jepte përshtypjen e një situate të vështirë ekonomike.
Në 12 shkurt, Bashkim Dobrushi së bashku me gruan e tij ishin paraqitur para gjykatësit për të mbyllur procedurat e divorcit. Që nga nëntori nuk jetonin më bashkë. Ai ishte lidhur me një femër tjetër, por familjes së tij vazhdonte t’i jepte paratë, gjysmën e rrogës së tij, në mënyrë që vajzat mos të kishin probleme gjatë rritjes. Askush nuk di t’i japë shpjegim krimit të kryer nga Edlira. “Është një mister i psikikës njerëzore”,- thotë dikush, megjithëse është një shpjegim që nuk mjafton.
Një mister që as babai i vajzave nuk ka ditur t’i japë përgjigje.
“Nuk e di”,- ishte kjo shprehja që ka përsëritur për rreth tre orë para karabienierëve. Në fund të kësaj historie askush nuk di pse Edlira vendosi t’i japë fund jetës së vajzave të saj, natën e së shtunës, kur ato ishin, ashtu siç shkruante vetë ajo, “E gjithë forca ime”.
Bashkim Dobrushi, një ditë para se të nisej në Shqipëri, i kishte thënë se do të shkonte në shtëpi për t’u shpjeguar të afërmve arsyet e ndarjes. Pak orë më vonë ajo kishte rënë dakord së bashku me nënën e njërës prej shoqeve të vajzës më të vogël që ditën e hënë të takonin mësueset. Bashkim Dobrushi, megjithëse nuk ka faj, ndjen mbi vete një peshë të rëndë”. “Nëse do ta imagjinoja një gjë të tillë, nuk do isha nisur kurrë”,- vazhdon të thotë…
/m.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





