Lecco, 13 mars 2014 – “Do jepja jetën time për tuajën, për t’ju dhuruar atë të ardhme që ju mohua. Do doja të ndaloja kohën një moment më parë, për t’ju dhuruar një të ardhme më të bukur. Na falni dhe ju lutem: Na doni andej nga lart sepse kemi shumë nevojë. Na jepni atë dashuri dhe atë mbrojtje që ne nuk qemë në gjendje t’jua jepnim e që mund t’i japë pak paqe zemrave tona. Të dashura Simona, Keisi e Sindi. Eshtë babai juaj ai që ju shkruan me zemrën të mbytur nga dhimbja. Nuk e kuptoj. Nuk jam ende në gjendje ta bëj, por nuk dua të gjykoj nënën tuaj. Na mungoni të gjithëve, prindërve dhe miqve, neve që nuk kuptuam dhe imagjinuam dot që diçka e tillë mund të ndodhte.

Nëpërmjet dhe rreth e rrotull jush shihnim vetëm një dashuri të madhe dhe mundoheshim të bënim të pamundurën, por kjo nuk mjaftoi. Do të na mungojë gjithçka e juaja. Buzëqeshjet, ëndrrat dhe hareja juaj. Ju lutem të na doni nga qielli. Atje ku jeni tashmë dhe shpresojmë të na falni atë dashuri që ne këtu nuk ditëm t’jua japim. Atë të ardhme që ëndërronit e që nuk mundëm t’jua falim".

Kjo është letra e lamtumirës që Bashkim Dobrushi, ia shkruan vajzave të tij Kejsit, Sindit e Simonës. Në Bazilikën e qytetit të Leccos në Itali, pranë banesës ku jetonin dhe iu pre jeta në mes tre vajzave, dje u mbajt një meshë. Mbi tre arkivolët e bardhë shumë lule fotot e tre ëngjëjve që fshehin tragjedinë që jeta i rezervoi mbrëmjen e 9 marsit 2014, në shtëpinë ku mendonin se ishin më të sigurta se askund tjetër. Bashkimi lexoi letrën në fund të meshës.
 
I gjithë qyteti i Leccos sot mban zi dhe është solidarizuar me dhimbjen e familjes Dobrushi, por dhe për t'i dhënë mundësi kujtdo që t'i japin lamtumirën e fundit Sindit, Keisit dhe Simonës.

Pritet të prekin të shtunën tokën shqiptare arkivolet e tre motrave Dobrushi, të masakruara nga nëna e tyre Edlira. Lajmi bëhet i ditur nga familjarët e babait të viktimave, Bashkim Dobrushit. Familjarët sqarojnë se trupat e pa jetë të vajzave do të lënë tokën italiane ditën e nesërme në orën 23:00 dhe pritet të mbërrijnë në portin e Durrësit rreth orës 09:00 të ditës së shtunë. Më pas ato do të transportohen drejt qytetit të Kukësit ku dhe do të zhvillohet ceremonia mortore për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Tre vajzat u masakruan barbarisht me thikë nga nëna e tyre, natën mes së shtunës dhe së dielës. Në deklarimet e dhëna në polici para hetuesve, Edlira Dobrushi u shpreh se bëri gjënë e duhur, për t’i shpëtuar të bijat nga një e ardhme e pashpresë.

"Bëra gjënë e duhur, duke i shpëtuar nga një fat mizor dhe i pamëshirshëm. I mbrojta nga të këqijtë, pasi në të kundërt do të ishin bërë prostituta". Kjo ka qenë dëshmia që 37-vjeçarja Edlira Dobrushi, pa derdhur asnjë pikë loti dhe më e sigurt se kurrë ka dhënë para autoriteteve italiane pas masakrimit të tri vajzave të saj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/