Prej 15 vitesh ka vendosur një komunikim të përditshëm me qytetarët, me hallet e problemet e tyre të mëdha e të vogla. Një telefon i hapur për t’i dhënë zë qytetarit, atij që politika i premton shumë, por që pastaj ia zë frymën dhe hapësirat për t’u shprehur. Këtë 21 mars, gazetari Bashkim Hoxha festoi 15-vjetorin e emisionit të tij “Koha për t’u zgjuar”, një nga emisionet më jetëgjatë në median shqiptare të këtyre 20 viteve demokraci. E ka shoqëruar në këtë udhëtim të gjatë bashkëpunëtori i tij i vjetër, fotografi i njohur Gëzim Domi. E nisën së bashku emisionin në një vit të mbrapshtë, në vitin 1997, atëherë kur, siç shprehet vetë Hoxha, “marrëzia dhe çmenduria kishin zbritur në rrugë dhe populli kishte nevojë për ekuilibrin logjik, për busullën orientuese”. Alo-t e qytetarëve janë një rutinë e përditshme e tij dhe emisioni është angazhimi i parë i për çdo dite. Në disa raste, emisioni e ka privuar edhe nga lëvizjet për arsye profesionale, por Hoxha thekson se primare për të është të përmbushë në radhë të parë angazhimin që ka marrë me qytetarët. Në këto vite ka dëgjuar probleme nga më të ndryshmet, shumë prej të cilave kanë gjetur zgjidhje, por ai shprehet se vazhdon të ndihet keq kur problematika të caktuara i vijnë të përsëritura vit pas viti dhe institucionet që kanë në dorë zgjidhjen e tyre qëndrojnë indiferente ndaj zërit të qytetarit, të komunitetit.

Z. Hoxha, më 21 mars u mbushën plot 15 vjet që nga dita e parë e nisjes së emisionit tuaj. Ç’do të thotë për ju emisioni “Koha për t’u zgjuar”?

Siç e thotë vetë titulli ky emision ka një kuptim të dyfishtë. Në radhë të parë është një emision me të cilin fillojnë ditën shumë teleshikues, në fillim tek televizioni “Teuta” e tani tek “News 24” dhe së dyti është një emision që bashkëshoqëron gjithë këtë periudhë të tranzicionit në Shqipëri, pra është kohë e një zgjimi demokratik. Zëri i qytetarëve, i cili është protagonisti i vërtetë i këtij emisioni është një pjesë integrale e demokracisë dhe ne përpiqemi që qytetarët të zgjohen gjithnjë e më

Pse zgjodhët marsin e 1997-ës, të atij viti të mbrapshtë për qytetarët, që të nisnit emisionin tuaj?

Atëherë ishte vërtet momenti, kur njerëzit kishin nevojë për një emision ku të shpreheshin. Ishte një moment kur rrugëve bërtiste çmenduria, kur në aspektin social të shoqërisë zotëronte marrëzia, kishte vendime ekstreme nga qeveria e kohës apo nga opozita, ishte një kohë e ndezur. Në ato momente lindte nevoja për një emision që të ruante ekuilibrin logjik, busullën, nord-in e demokracisë. Dhe nord-i i demokracisë është qytetari. Ky emision lindi si një nevojë ku qytetari duhet të përcaktonte rolin e tij dhe fakti që emisioni u përqafua nga qytetarët e pati jetëgjatësi tregoi se ne ishim në një nord të pagabueshëm.

Ky emision startoi në televizionin që drejtohej nga ju dhe tani vazhdon rrugëtimin e tij në një tjetër media vizive. Ka ndryshuar diçka nga struktura e tij?

Struktura e emisionit ka mbetur e njëjtë në këta 15 vite. Ka ndryshuar në fakt vetëm audienca, pasi në televizionin “Teuta” ajo ishte më lokale, ndërsa tek “News 24” ajo është kombëtare, madje përmes satelitit emisioni ndiqet kudo ku ka shqiptarë, prandaj mund të them që kemi audiencë edhe në botë.

Të ndalemi pak te kjo pikë. Meqë tani audienca është më e gjerë, sa kanë ndryshuar në këto vite problematikat e ngritura nga qytetarët?

Ky është një ndryshim që ka ardhur natyrshëm, pasi është ndryshe kur flet brenda shtëpisë, brenda qytetit apo brenda vendit. Përgjithësisht qytetarët që marrin pjesë e krijojnë këtë dimension të vetes me audiencën. Dikur problemet ishin lokale, kurse tani shprehen në një këndvështrim më të gjerë, në nivel kombëtar. Kjo ka bërë që të futen jo vetëm problematika të jetës së përditshme qytetare, të jetës urbane, por edhe këndvështrime politike.

Prej 15 vitesh ju bashkëjetoni me problematikat e ngritura nga qytetarët. Në gjithë këto vite sa përqind e tyre kanë gjetur zgjidhje dhe sa të tjera vazhdojnë të ngrihen ende?

Nuk mund të flasim me përqindje, por shumica e problematikave, në veçanti ato konkrete kanë gjetur zgjidhje, pasi ka shumë të tjera të përgjithshme si p.sh. problemi i pronave që duan shumë më tepër kohë, janë probleme që shoqëria ende kërkon t’i zgjidhë. Problemet konkrete që janë bërë publike në emisionin “Koha për t’u zgjuar” kanë gjetur ndjeshmërinë e duhur të pushtetit vendor për t’i dhënë një zgjidhje. Kështu p.sh. problem tipik ishte lagja 18 e njohur dikur si “lagja e mundimeve”, për shkak të problematikave me të cilat ndesheshin qytetarët. Këtë emërtim ajo e mori pikërisht në këtë emision. Nga ndjeshmëria me të cilën ju përgjigj në vite pushteti lokal tashmë mund të thuhet se këto problematika kanë gjetur zgjidhje. Ka dhe probleme që pavarësisht se ngrihen prej vitesh ende vazhdojnë të shqetësojnë qytetarët. Kështu unë nuk di sesi mund të gjejë zgjidhje problemi i ngritur nga qytetarët për një uzinë baterish që ndot zonën e Shkozetit. Unë ndihem gjithnjë keq, kur ky problem vjen i përsëritur dhe askush nuk shkon t’u ofrojë një zgjidhje banorëve të kësaj lagjeje.

 

Shpeshherë politika është prodhuar nga gazetaria e kjo tregon që nuk është përgjegjësi e politikës kjo gazetari që kemi, por është më shumë përgjegjësi e vetë gazetarisë. Ne kemi një gazetari që vetëm qytetarin nuk e ka në vëmendjen e saj. Nëse ne do të përdornim termat e gazetarisë moderne, bashkëkohore p.sh. të gazetarisë amerikane e cila përqendrohet tek “gazetaria e komunitetit” këtu tek ne do të quheshe njeri pa vlerë. Tek ne gazetaria e politikës i zë frymën problemeve qytetare

Po në rastet kur telefonuesit debatojnë për politikën, e shpeshherë ngrenë zërin të revoltuar, si i menaxhoni këto telefonata?

Për fat të keq, kur flitet për politikën nuk sillen problematikat njerëzore përballë politikës, e cila gjithnjë ka premtuar se do të jetë pranë qytetarëve. Ka raste kur qytetarët shfrytëzojnë telefonin e hapur për të sjellë para audiencës pasionet dhe mllefet e tyre politike, ose për të shpalosur bindjet e tyre politike. Në këto raste unë me shaka i them publikut se nuk kemi pse të kthehemi në kuti votimi, pasi ju keni ditën kur mund të hidhni votën tuaj. Është e vështirë të menaxhohet vrulli i militantëve. Nganjëherë më etiketojnë i majtë, në raste të tjera i djathtë. Kam një marrëdhënie të vështirë me militantët ekstremë në këtë emision. Është një lloj tifozerie që për t’i menaxhuar duhet t’i orientosh drejt problematikave qytetare. Kur militantët vazhdojnë me këmbëngulje të jenë tifozë të njërës palë unë thjesht bëj rolin e moderatorit për të lejuar zërin e secilës palë që të shprehet.

Në disa raste, angazhimet tuaja profesionale ju pengojnë të jeni në emisionin “Koha për t’u zgjuar”. Si ndiheni në ato ditë kur prishni këtë rutinë 15-vjeçare?

Të them të drejtën tek angazhimet e mia personale i pari që vendoset në axhendë është emisioni, sepse ai është një përgjegjësi ndaj një publiku të gjerë. Kjo shpesh më kufizon lëvizjet p.sh. pjesëmarrjen si dramaturg në një festival drame apo në promovimin e një libri tim në Prishtinë. Por tashmë janë 15 vjet që unë eci me këtë grafik të ditës sime. Kur nuk mund ta zhvilloj pikërisht për shkak të këtyre angazhimeve ai më mungon, por i mungon edhe qytetarëve, pasi ata shpesh ma thonë këtë gjë. Emisioni është bërë pjesë e brendshme e jetës sime, e mënyrës sesi e ndërtoj unë ditën. Unë zgjohem herët edhe atëherë kur nuk kam emision.

Është një emision i suksesshëm, por a keni menduar ndonjëherë t’i jepni fund?

Po sigurisht, çdo gjë vjen vetvetiu drejt fundit, sepse jeta lëviz, shoqëria lëviz dhe krijohen mënyra dhe standarde të tjera komunikimi. Por në fazën që është unë mendoj se do të vazhdojë gjatë.    

Të ndalemi pak tek shtypi, të cilin ju e shfletoni çdo ditë. Si e shikoni zhvillimin e shtypit në këto vite tranzicioni?

Unë do të thosha se në këto vite tranzicioni, shtypi shqiptar më shumë sesa bëri kalimin nga një sistem në tjetrin u bë pjesë e problematikave të këtij tranzicioni edhe atyre problematikave që ndoshta nuk i takonin siç është lidhja e tij të ngushtë me politikën. Kam përshtypjen se politizimi i tejskajshëm e dëmtoi shtypin. Kam përshtypjen se shtypi shqiptar është përkeqësuar nga viti në vit duke u bërë një shtojcë e politikës e jo duke u ndarë prej saj.  

Është politika fajtore në këtë rast? Çfarë duhet bërë që media t’i kthehet qytetarëve?

Kam bindjen se nuk është politika, por më shumë interesat e botuesve dhe pronarëve të mediave, që kërkojnë të jenë pranë politikës për të qenë më komodë në investimet që ata bëjnë. Shpeshherë politika është prodhuar nga gazetaria e kjo tregon që nuk është përgjegjësi e politikës kjo gazetari që kemi, por është më shumë përgjegjësi e vetë gazetarisë. Ne kemi një gazetari që vetëm qytetarin nuk e ka në vëmendjen e saj. Nëse ne do të përdornim termat e gazetarisë moderne, bashkëkohore p.sh. të gazetarisë amerikane e cila përqendrohet tek “gazetaria e komunitetit” këtu tek ne do të quheshe njeri pa vlerë. Tek ne gazetaria e politikës i zë frymën problemeve qytetare. Që të realizohet një gazetari e problemeve qytetare duhet që të ndryshojë vetë formimi dhe fokusimi i medias shqiptare.