Dramaturgu durrsak shprehet se duhet të kemi prioritet dramaturgjinë shqipe, e cila ka konkuruar denjësisht me pjesët e autorëve të huaj
Dramaturgu i njohur durrsak, Bashkim Hoxha, vjen këtë herë para spektatorëve jo vetëm në cilësinë e autorit të tekstit, por dhe në atë të regjizorit të komedisë “Heronjtë e viagrës”. Në këtë sprovë të parë të tij nën petkun e regjizorit, Hoxha shprehet se është përpjekur të transmetojë jo vetëm përmes mjeteve shprehëse të të shkruarit, por dhe atyre interpretative, idetë dhe vizionin e tij për këtë pjesë teatrore. Në këtë 100-vjetor të pavarësisë, kur shumë po flitet për historinë dhe heronjtë shqiptarë, Hoxha kërkon të përcjellë vizionin e tij për heronjtë, që jo gjithmonë duhen identifikuar vetëm me ata me shpata e jataganë, të mistifikuar së tepërmi në legjendat dhe mitet e folklorit tonë. Ndërsa rrëfen për vështirësitë dhe kënaqësitë që i ka falur kjo sipërmarrje e re, Hoxha ndalet edhe në rëndësinë që i duhet kushtuar nga regjizorët dramaturgjisë shqipe, e cila, përsa i përket pjesëve të vëna në skenë në teatrin e Durrësit, ka provuar se është po aq e suksesshme sa komeditë e autorëve bashkëkohorë të huaj.
Zoti Hoxha, pas shumë pjesëve teatrale të shkruara prej jush dhe të vëna në skenë nga regjizorë të ndryshëm, ju vini këtë herë me sprovën tuaj të parë si regjizor. Si ju është dukur kjo eksperiencë?
Ka qenë një eksperiencë mjaft interesante për mua. Pas 14 dramave dhe komedive të vëna në skenë nga regjizorë të ndryshëm, brenda vendit dhe në rajon, unë vendosa që në këtë pjesë të pesëmbëdhjetë të jem vetë vënësi në skenë, pasi fjala regjizor është një emër i madh. “Heronjtë e viagrës” është një komedi që unë e kam shkruar me shumë pretendime dhe kisha dëshirë që ideve të mia t’u shkoja deri në fund edhe me gjuhën teatrore. Edhe kur kam botuar një roman me këtë subjekt e kam quajtur roman teatral, sepse që në fillim isha i bindur se do të ishte një ngjarje e denjë për skenën. Ngaqë kisha vizione mjaft të qarta dhe gjeta njëkohësisht mbështetjen e trupës teatrore “Aleksandër Moisiu” për t’ju bashkangjitur këtyre vizioneve dhe ideve vendosa ta vija vetë në skenë komedinë time. Sigurisht është një gjë ndryshe nga të shkruarit vënia në skenë, sepse të duhet të operosh me mjete të tjera shprehëse, që janë të gjuhës së skenës e jo të shkrimit. Ka qenë një përvojë mjaft interesante për mua për të eksploruar dhe verifikuar veten jo vetëm si autor teksti.
Nëse do të ndalemi në planin profesional, cilat ishin vështirësitë dhe kënaqësitë që ju fali puna si regjizor?
Do thoja se kanë qenë të bashkangjitura, si vështirësia ashtu edhe kënaqësia. Nuk është se kam pasur vështirësi shumë të mëdha, sepse gjithë karrierën time si autor i teatrit e kam pasur brenda teatrit. I kam ndjekur rregullisht provat me mjeshtrat e regjizurës shqiptare, me të cilët kam bashkëpunuar dhe në një farë mënyrë kjo ka qenë një lloj shkolle e posaçme. Vënia në skenë sigurisht ka pasur vështirësitë e veta, por ato tashmë i kam kaluar përmes bashkëpunimit shumë të ngushtë me trupën e aktorëve, të cilët i kam pasur shumë të afërt në zbërthimin e të gjitha ideve e personazheve. Kurse, përsa i përket kënaqësisë do të thoja që është ajo ndjesi që merr njeriu kur një ide të tij e ka finalizuar deri në fund.
Kjo pjesë sjell në skenë një numër relativisht të madh personazhesh dhe figurantësh. A keni pasur vështirësi në këtë drejtim?
Po, ka pasur vështirësi, sepse në skenë janë 23 personazhe, nga të cilët vetëm tetë janë aktorë të trupës sonë teatrore. Ka pasur jo aq shumë vështirësi të të kuptuarit të tyre sesa të organizimit, që sjell një masë kaq e madhe njerëzish. Megjithatë ne kemi tani një prapavijë me shumë përvojë dhe të gjithë kanë qenë shumë të angazhuar. Mund të them që vështirësitë janë kapërcyer më lehtë sesa e mendoja.
Në këtë komedi ju ironizoni shumë figurën e heroit. Në perceptimin tuaj si është heroi i ditëve tona dhe si duhet të jetë ai?
Për të qenë më të saktë unë po citoj një shprehje nga vetë komedia: “Ne të gjithë heronjtë i kemi me pushkë dhe jataganë dhe pastaj presim një fat paqeje”. Kjo është absurde, pasi ne në përgjithësi heronjtë i shikojmë të lidhur gjithmonë me luftën, armët, jataganët. Në këtë pjesë ne kemi një fëmi të vogël që armën e tij ka llastiqet, me të cilët ka thyer xhamat e armikut të tij. Gjithmonë ka diçka që vret, që godet. Duke u ndalur tek heronjtë e ditëve tona ne glorifikojmë gjithnjë të fortin e jo të mençurin apo njeriun që jeton jetën e tij duke dhënë kontribute të vyera për shoqërinë, por në një mënyrë jo prej të forti.
Në këtë pikëpamje, ne kemi ndërtuar këtë shfaqje për të zgjuar këtë polemikë. Ne jemi në një moment, që duhet të gjykojmë jo vetëm heronjtë e ditëve tona, por edhe historinë. Ka shumë meditime në këtë 100-vjetor të pavarësisë dhe besoj se ka shumë njerëz që arrijnë në konkluzionin se ne nuk kemi një histori “histori”. Më shumë kemi një manipulim të saj prej politikës, kemi shumë folklor, shumë legjenda, shumë retorikë politike dhe shumë pak kemi nga ajo histori, që duhet të mbetet si një kockë e fortë në breza të ndryshëm. Për këto arsye, në këtë 100-vjetor të pavarësisë, mesazhet që sjell shfaqja do të jenë shumë të rëndësishëm.
Teatri i Durrësit krahas pjesëve të autorëve bashkëkohorë të huaj, një rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe dramaturgjisë shqiptare. Si autor tekstesh, cili është mendimi juaj për dramaturgjinë shqipe të ditëve tona dhe çfarë duhet bërë për promovimin e saj?
Nëse do të ndaleshim konkretisht në përvojën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në këto dy vite ne kemi vënë në skenë katër vepra të dramaturgjisë shqipe, nga të cilat një është e traditës (komedia “Pas vdekjes”), një është bashkëkohore (komedia “Dashuri e dytë në moshë të tretë”), është komedia që po vënë tani në skenë dhe drama “Romancë në ditën e krimit”). Të katër këto premiera janë pritur jashtëzakonisht ngrohtë nga publiku. Pra bie ajo tezë e gabuar, sipas së cilës dramaturgjinë shqipe nuk e do publiku. Në këto dy vjet biletat na janë shitur plotësisht dhe publiku ka ndjekur masivisht, më shumë sesa të gjitha pjesët e tjera të vëna në skenë. Komedia e Çajupit dhe ajo e Haxhi Ramës rezultojnë të jenë më të ndjekurat. Ne shpeshherë i drejtohemi komedisë dhe pjesëve bashkëkohore duke menduar se do të tërheqim më shumë spektatorë prej tyre. Por ne publikun e kemi tërhequr tashmë me prodhime dinjitoze të dramaturgjisë shqipe.
Kjo na bën që të inkurajohemi, të krijojmë kushtet e duhura që dramaturgjia shqipe të ketë hapësirat e duhura në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Për këtë, së bashku me kolegët e teatrit, po mendojmë sesi të mos jemi më peng i këtyre perceptimeve të gabuara që publiku do vetëm komedi dhe drama të huaja. Në qoftë se në dramat e autorëve shqiptarë mbledhim në sallë po aq publik sa edhe në komeditë e huaja ne duhet të kemi prioritet dramaturgjinë shqipe. Ideja se dramaturgjia shqipe është në krizë funksionon vetëm sepse nuk njihen këto prurje. Nëse kritika e specializuar ose ata që shkruajnë nëpër gazeta (sepse ne nuk kemi ndonjë kritikë tepër kualitative për teatrin) do të ndiqnin pjesët teatrore shqiptare të vëna në skenë në teatrin “Aleksandër Moisiu” atëherë do të kuptonin se ka dramaturgji shqipe dhe dramaturgji të suksesshme shqipe.