DURRËS, 4 maj 2014 – “Pas 17 vjet çdo mëngjes në ekran, e pashë të arsyeshme të tërhiqem nga “Koha për t’u zgjuar”, kështu ka njoftuar më 3 maj 2014 Bashkim Hoxha në një status në FB.
U bënë disa kohë që moderatori, romancieri, dramaturgu, poeti, publicisti, botuesi, kino-libretisti, regjisori, Qytetari i Nderit i Durrësit, Mjeshtri i Madh i Punës, drejtori i qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu” Bashkim Hoxha nuk thotë më në orën 7 të mëngjesit: “Koha për t’u zgjuar”.
Mungesën e Hoxhës në ekranin e “News 24” e kanë shpjeguar, dikush me ndonjë grip, një tjetër me ndonjë vizitë të shkurtër jashtë Durrësit.
Por thashethemeve u ka dhënë vetë përgjigje z. Hoxha:
“Miq, në përgjigje të interesimit tuaj më duhet t’ju them se pas 17 vjet çdo mëngjes në ekran, e pashë të arsyeshme të tërhiqem nga “Koha për t’u zgjuar”.
Kemi ndarë bashkë vlera qytetarie në një kohë të trazuar e të lodhshme. Do jemi sërish bashkë në komunikime të tjera qytetarie dhe përmes krijimtarisë artistike. Besoj në mirëkuptimin tuaj”.
Ndërkaq në konfidencë z. Hoxha i ka thënë “Dyrrah”-ut se ka një projekt tjetër dhe nuk përjashtohet që ai të veshë së shpejti kostumin e diplomatit në një nga vendet skandinave.
Por tashmë “veteliminimi” i emisionit me audiencën më të lartë në orët e para të ditës në televizionet shqiptare “Koha për t’u zgjuar”, dëmton një televizion dhe u jep shpresë të tjerëve.
Z. Hoxha e “ndërtoi” këtë emision më 21 mars 1997 në televizionin e tij privat “Teuta”, ku lexonte çdo lloj gazete, reviste qendrore dhe vendore, deri dhe reklamonte tituj librash.
Me kalimin në “News 24”, atij iu vunë kufizime dhe censurë, pasi pronarët kishin edhe gazeta.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





