Për deputeten e LSI-së, Klajda Gjoshaj, deklaratat e kryeministrit Edi Ram për bashkimin me Kosovën janë një alarm i madh për dy shtete të pavarura, për të cilat perspektiva e vetme në të ardhmen është ajo europiane.

Gjoshaj shkruan në Facebook, se "Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete që me meritë duhet të ecin përkrah njëra tjetrës drejt BE, duke bashkëpunuar mbi të gjitha ekonomikisht që t’i bëjmë ballë sfidës së një konkurence të madhe tregu.

Janë deklarata të tilla nacionaliste dhe të papërgjegjshme që trazojnë gjithmonë marrëdhëniet e brishta të rajonit tonë. Janë pikërisht këto deklarata që nuk ndihmojnë vazhdimësinë e një dialogu konstruktiv mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe e vendosin Shqipërinë në një pozicion të vështirë me fqinjët, ku politika ‘Zero Probleme me Fqinjët’ e ka humbur tashmë kuptimin!

Këto qëndrime nuk mund të pranohen si shfajësim për braktisjen e qeverisjes së vendit, as për mos përmbushjen e kushteve që Shqipëria të celë negociatat. Këto janë qëndrime të një shtetari të frikësuar që përdor kërcënimin ndaj BE-së në vend të rezultateve konkrete."