Nga BUJAR QESJA
E kemi lidhur besën, për të vazhduar e vazhduar pa u ndalur, për të shkruajtur për Durrësin dhe durrsakët. Vitet kalojnë. Ngjarje të shumta janë fiksuar. Kjo në të gjitha parcelat e jetës. Shumë prej tyre kanë ikur, janë shkrirë si shkumë sapuni. Në të tjera, jemi treguar më të kujdesshëm dhe shyqyr që i kemi. Sepse në këto ngjarje pak nga pak, kemi fiksuar atë që quhet historia jonë qytetare. Histori që pa protogonistë, mbetet si një gjethe e tharë dhe era e mosvëmëndjes e hedh tutje si një mall pa zot.
Jam në të drejtën time për të bërë interpretimin, pasi do të çfaq nga fotot më të rralla, më të bukura, më tërheqëse, më pikante, më të veçanta që ka brenda heronjtë e basketbollit dursak në vite. Janë edhe të tjerë që na ka bashkuar idealizmi ynë qytetar, të asaj qytetaria që quhet e Durrësit. Është një pamje, pa dashur ta dorëzojë veten, ndjej shumë mall. Vetë historia e jonë është mall, por kur i shikon këta 17 njerëz të bashkuar si gjerdan floriri, të duket se je pronar i një thesari tepër të çmuar, shumë të rrallë. Pse mos të themi pa hezitim, se është vërtet kështu.
Foto që kam në dorë, është e dimensionit 15×10 centimentra. Por jam i sigurtë se nga përmbajtja dhe nga vlerat, dimensioni i saj është i pamatshëm, infinit. Emra që peshojnë. Portrete ndriçimi i të cilëve nuk mund të shuhet, nuk mund të zbehet, aq më pak të errësohet. Vlerat kur janë brenda secilit prej nesh, është detyra t’i ruajmë, por edhe t’i publikojmë, për të ndjerë dhe për të prekur se historinë veçanërisht te artit dhe të sporteve e kemi të madhe, që peshon shumë.
Kohë e gjatë 30 vjeçare. E kam ruajtur këtë foto 10.956 ditë, së pari në shpirt, e së dyti në arkën hermetike të kujtimeve. Kur e peshon këtë pamje, është shumë e lehtë, nuk e kap gramin. Por jam i sigurtë që nuk ka peshore në botë, të matë peshën e saj. Vlerat e qytetarisë durrsake nuk maten, pasi pesha e tyre është e përjetshme. 17 njerëz me staturën e tyre, por me të përbashktën: dashurinë dhe përfaqësimin e ngjyrave të Durrësit.
Le të themi sebepin e këtij katërkëndëshi 15×10 centimentra. Në mos gaboj edhe si ditë duhet të jetë 18 marsi dhe viti 1993. Bashkim Taga, besoj se nuk ma kundërshton njeri, në Durrës jo se jo, mbetet nga figurat më të mëdha dhe më me shkëlqim të basketbollit. Mënçuria e tij, qetësia e tij, urtësia e tij, profesionalizmi i tij, edukata dhe komunikimi i tij, respekti dhe cilësitë e bashkëpunimit, përkushtimi deri në qelizën e vetme të gjakut të tij, janë unikale, të pashembullta.
Ai i dha zjarr brezave të basketbollit, duke e bërë të përparojë dhe asnjëhere pas basketbollin durrsak. I lidhur me miq të rrallë, Bashkim Taga dhe të tijtë, nënshkruan kartën e ndritshme të historisë së basketbollit, duke e kthyer nga sportet më elitare dhe më të parparuara në Durrës. Bashkim Taga mbaroi shkollën e lartë në Beograd për basketboll, duke patur kolegë dhe bashkëpunëtorë yje të basketbollit jugosllav dhe atij botëror. Në kohën kur drejtoi, deri në vitin 1972 kur e largojnë nga Durrësi, për atë dreq luftë të klasave, mbeti frymëzues.
Punoi me basketbollin nga viti 1949, e deri në vitin 1972, 276 muaj duke i dhënë autoritet dhe krenari. Kam shumë për të folur, e për të shkruar për këtë perandor të basketbollit, që ngriti perandorinë e e topkoshit durrsak, duke i dhënë titullin kampion që në vitin 1955. Një nga specialistët më me emër në basketbollin jugosllav Aleksandër Nikoliç, trajner i Cërvena Zvezdës, pas ndeshjes me “17 nëntorin” e Tiranës në vitin 1970 u shpreh:
-Ju keni një figurë të madhe të basketbollit. Është miku im i shkollës. Quhet Bashkim Taga.
Bashkimi lindi me 3 shkurt 1921, për të mbyllur sytë dhe jo kujtesën për të, me 5 shtator 1999. Ju jap fjalën se do të merrem një ditë dhe uroj të jetë sa më e shpejtë, me këtë kalorës të basketbollit dhe do të ndjeni e prekni edhe më mirë, madhështinë e një njeriu dhe burri të rrallë.
Të dalim tek fotojo, për të respektuar të gjithë portretet që janë vendosur aty. Shtatë prej tyre nuk jetojnë. Janë Bashkim Taga, Dhimitraq Goga, Napolon Llalla, Salvator Sotiri, Vangjel Heba, Spiro Urumi dhe Naun Llazo. Kë të veçosh më parë! Secili histori më vete. Vangjel Heba është artist i madh i skenës dhe i filmit, ndonëse në fillimet e hershme është marrë me not. Mik i madh me durrsakët, por shok i betuar me emrat që sapo shënova.
Dhimitraq Goga, kemi edhe një pallat sporti me emrin e tij. Gjigand edhe ky. Më shtatlarti. Kur ecte në Durrës edhe më i shkurtëri e shikonte. Mirësia vetë. Po Salvator Sotiri? Me humor thuhej:” Në çdo dy veta, tre i njeh” aq shumë e përshëndesnin këtë madhështor, së pari si njeri. Napolon Llalla, sa shumë ka dhënë. Edhe Urumi gjithashtu në sport dhe art. Ndër to edhe Naun Llazo, ngacmuesi dhe humori i shokëve.
Nga pak edhe të tjerët. Gjon Luli, Margarit Çumashi janë të një brezi. Është Nysret Reka, Ibrahim Kurtbegovi, Ilia Xhako, Anesti Petani që rrahin në tjetër moshë. Vijmë tek junjorët e fotos me Riza Dajkon, Bujar Qesjen, Besnik Çelën dhe 62 vjeçarin Sabri Rustemi. Petani gjimnast i njohur, por për shumë vite drejtues i Klubit Shumësportesh “Lokomotiva” dhe “Teuta”. Riza Dajko specialist i pingpongut dhe pak kohë drejtoi fizkulturën e Durrësit. E të tjerët nga më i madhi, e deri tek më i riu janë ajka e basketbollit, nga më të mirët në vite. E Qesja mbetet, kronikani fanatik i sporteve të Durrësit të tij.
Bashkim Taga në këtë ditë, e në këtë vit është vlerësuar me titullin “Trajner i Merituar”. Edhe më shumë edhe më të lartë, duhej të ishin titujt për të. Por ç’rëndësi ka kjo, para titullit më të lartë që i ka dhënë populli i Durrësit, këtij krutani çudibërës të sporteve dhe veçanërisht të basketbollit.
“Bashkim Taga, historia e përjetshme e basketbollit durrsak”.
Kemi dalë nga klubi i Torrës Veneciane. Aty ku dikur është përpjekur Mujo Ulqinaku me shokë, për të mbrojtur tokën e Atdheut të përbashkët. E pikërisht në këtë kala të rezistencës, u konfirmua me 18 mars 1993, kalaja e qendresës dhe e historisë të njërit prej më të mëdhenjve të basketbollit Bashkim Taga. Sa krenari ndjemë së pari ne, për këtë kryetrajner, që pas vitesh persekucioni, dielli i së vërtetës dhe i shpresës kish rinisur të shkëlqejë. Shumë kujtime për Bashkim Tagën. Ai që udhëhoqi “Lokomotivën” në shumë beteja sportive, ishte plotësisht i kontraktuar. Me shumë vëmëndje, dëgjuam një fjalë dhe s’kishin më rëndësi të tjerat:
Faleminderit!
Po Bashkim Taga, faleminderit ty për atë çka i dhe basketbollit të Durrësit! Të jesh i sigurtë, se mirënjohja për këtë nuk do të soset. Asnjëherë!
Bujar Qesja
Durrës: 9 maj 2023
Në pamje, lart nga e majta: Vangjel Heba, Besnik Çela, Sabri Rustemi, Salvator Sotiri, Dhimitraq Goga, Margarit Çumashi, Spiro Urumi, Nysret Reka, Anesti Petani, Riza Dajku.
Ulur nga e djathta: Gjon Luli, Naun Llazo, Napolon Llalla, Ibrahim Kurtbegovi, Ilia Xhako dhe Bujar Qesja.
18 Mars 1993