INSTAT ka raportuar të dhënat për lejet e dhëna në vend, ku sërish informacioni është i paplotë, pasi jepen vetëm të dhënat për bashkitë.

Ndërkohë vazhdojnë të mbeten mister lejet e dhëna nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, që është institucioni kryesor që jep lejet për projektet e mëdha dhe ndërtesat shumëkatëshe ka dhënë leje të shumta, si për qiellgërvishtës në kryeqytet, ashtu dhe resortet turistike në bregdet.

Prej gati një viti, nuk ka një informacion mbi përmasat e lejeve të ndërtimit në vend, ndërkohë që i gjithë vendi është kthyer në kantier ndërtimi.

Vetëm bashkitë kanë dhënë 1.3 milionë metra katror leje ndërtimi në 2025-n, sipas INSTAT. Ndërsa, për vitin 2024, në total ishin dhënë leje për një sipërfaqe prej 2.4 milionë metra katror, nga të cilat 1.95 milionë metra katror ishin vetëm në Tiranë. Duke pasur parasysh se për vitin 2025 nuk përfshihen lejet e dhëna nga KKTU, sipërfaqja totale e dhënë për leje nuk dihet. Për më tepër që për vitin 2025 nuk jepet asnjë e dhënë sa është sipërfaqja e lejeve të dhëna për kryeqytetin.

Botimi i statistikave mbi lejet e ndërtimit mbështetet aktualisht vetëm në të dhënat e siguruara nga bashkitë, të cilat janë autoritetet kryesore për dhënien dhe raportimin e këtyre lejeve.

Megjithatë, VKM nr. 408, datë 13.5.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar*, përcakton se në procesin e miratimit të lejeve të ndërtimit përfshihen edhe institucione të tjera përgjegjëse, përveç bashkive. Duke qenë se ende nuk ka një raportim të standardizuar dhe të plotë nga të gjitha këto ente pranë INSTAT, të dhënat e publikuara për tremujorin e katërt bazohen vetëm në burimet bashkiake.

Të dhënat e publikuara në tremujorin e katërt 2025, nuk mund të krahasohen me të dhënat e tremujorit të katërt 2024. INSTAT po punon që të gjitha institucionet përgjegjëse të përfshihen në mënyrë të unifikuar në procesin e raportimit statistikor.

Sipas të dhënave të deritanishme, sipas INSTAT, në tremujorin e katërt të vitit 2025:

  • Janë miratuar 259 leje ndërtimi për ndërtesa të reja.
  • Sipërfaqja totale e parashikuar për ndërtimet e reja në këtë tremujor është 340.477 m².
  • Vlera e përafërt e projekteve të miratuara (që përfshin si ndërtesat ashtu edhe punimet inxhinierike) arriti në 19,4 miliardë lekë.
  • Ndërtimet për banim përbëjnë pjesën më të madhe të lejeve të reja, me 200 leje dhe sipërfaqe ndërtimi 237.132 m².
  • Ndërtesat jo-rezidente (si hotele, ndërtesa tregtare dhe industriale) zënë pjesën tjetër me 59 leje ndërtimi dhe 103.345 m² sipërfaqe.

Gjatë vitit 2025:

  • Janë miratuar gjithsej 1.158 leje ndërtimi për ndërtesa të reja.
  • Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është 1.304.606 m².
  • Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit të miratuara për (ndërtesa dhe punime inxhinierike) është 73,9 miliardë lekë.
  • Ndërtimet për banim përbëjnë pjesën më të madhe të lejeve të reja, me 890 leje dhe sipërfaqe ndërtimi 844.791 m².
  • Ndërtesat jo-rezidente (si hotele, ndërtesa tregtare dhe industriale) zënë pjesën tjetër me 268 leje ndërtimi dhe 459.815 m² sipërfaqe. Ndërkohë në botimin e këtij tremujori, INSTAT nuk ka publikuar as sa është sipërfaqja e leje të dhëna në Tiranë, ndryshe nga tremujori i mëparshëm. Në tremujorin e tretë, bashkitë kishin dhënë gjithsej 350.6 mijë metra katror sipërfaqe leje ndërtimi, nga të cilat 252 mijë ishin në Tiranë.

Askush nuk e di sa leje ka dhënë Këshilli Kombëtar i Territorit

Janë bërë disa mbledhje të këshillit Kombëtar të territorit të Ujit në tremujorin e fundit 2025, ku të paktën dy ishin në tetor, sipas kalendarit të planifikuar. Këto të dhënat duket se mbahen “sekret” dhe do të duhet kohë që të kuptohet situata reale me ndërtimet në vend. /Monitor