Mbledhja e kryesocialistit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Taulant Balla për më shumë se 4 orë me drejtuesit politikë të 12 qarqeve për të marrë mendimet e tyre për kandidatët socialistë në zgjedhjet e 30 Qershorit nuk i zgjidhi të gjitha dilemat.
Bashkitë më të nxehta mbeten ato të qarkut të Durrësit, ku për bashkinë Durrës dhe Shijak kandidatura pritet të vendoset dhe shpallet në minutën e fundit.
Sipas Top Channel, Vangjush Dako, drejtues politik i Qarkut Durrës ka lënë mbi tavolinën e Ramës tre emra, që të treja gra si pasuese të tij. Ato janë deputetja Klodiana Spahiu dhe kolegia e saj Milva Ekonomi, për të cilën burime nga PS thonë se probabiliteti i kandidimit është i lartë nëse ajo e ka pranuar propozimin. Si alternativë kandidimi për Durrësin socialistët kanë edhe Valbona Sakon, drejtoreshën aktuale të Tatimeve në këtë qytet.
Dilema që rrethon emrin që do të përzgjidhet në Durrës ekziston edhe në Shijak. Qyteti i vogël ka shfaqur probleme në gjetjen e një kandidati fitues për socialistët.





