Lirimi i njerëzve nga burgu, korruptimi i tyre, shantazhimi me humbjen e vendeve të punës apo joshja me to janë disa nga elementet e konstatuara gjatë kësaj fushate nga nr.2 i Aleancës Kuq e Zi dhe njëkohësisht kandidati që kryeson listën e kësaj force në qarkun e Durrësit, Prof. Dr. Lisen Bashkurti. Në intervistën e mëposhtme për agjencinë e lajmeve “Dyrrah” kandidati flet për vizionin dhe projektet për Durrësin, problemet me të cilat përballet qarku ynë dhe si i sheh ai rivalët në raport me veten dhe epërsinë ndaj tyre.

Të njëjtat pyetja i janë drejtuar dhe kandidatëve të tjerë dhe pritet që në ditët e fundit të kësaj fushate të na përgjigjen në këtë hapësirë komunikimi me lexuesit e shumtë që na ndjekin çdo ditë në informacionet e përcjella për të mundësuar jo vetëm informimin në kohë reale, po dhe ofruar mundësinë e njohjes së këndvështrimit të tyre mbi problematikat e Durrësit, si e shohin atë dhe çfarë vizioni konkret kanë mbi të, si përfaqësues të forcave politike; si e vlerësojnë fushatën dhe rivalët në garën elektorale që po mbërrin me shpejtësi drejt fundit të saj.

– Z. Bashkurti, si e vlerësoni ecurinë e fushatës në Durrës dhe cilët do të jenë zgjedhësit që do të votojnë për ju?

– Fushata në Durrës është shumë interesante, e mrekullueshme dhe sfidante njëkohësisht. Brenda periudhës kohore prej 6 javësh, ne kemi bërë mbi 180 takime, duke mbuluar te gjitha bashkitë dhe komunat, lagjet e qyteteve të mëdha, grupet e interesit dhe kategori të ndryshme sociale. Takimet kane qenë të formateve të ndryshme, që nga grupet prej 80-100 persona deri në takime masive në sallat e pallatit të kulturës, sheshe dhe në qendrat e qyteteve. Kemi bërë vizita nëpër familje, takime me personalitete me ndikim të gjerë shoqëror, vizita nëpër qendra tregtare, biznese dhe shëtitje në mjedise publike pothuajse çdo natë. Fushata në terren është shoqëruar paralelisht me komunikime mediatike, përmes botimeve në gazeta të ndryshme, si dhe intervistat në panele lokale dhe televizione qendrore. Këtë jave kemi parashikuar intensifikim të takimeve në terren dhe prezantimeve mediatike. Nga tërësia e veprimtarive jemi përqendruar kryesisht te votuesit atdhetarë, votuesit e protestës, tek bojkotuesit tradicional, tek rinia, por pa përjashtuar gjithë elektoratin shqiptar, i cili mendoj se do të reflektojë për të sjellë ndryshime politike të thella. Fushata jonë ka qenë gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese, ka qenë pajtuese dhe jo konfrontuese, ka qenë afirmative dhe jo negativizuese, ka qenë konstruktive e moderuar dhe jo ekstreme. Jam shumë i lumtur që s’kemi pasur asnjë shqetësim dhe asnjë incident në tërë këtë fushatë intensive.

– Ku bazohet platforma juaj?

Platforma elektorale bazohet në projektin kombëtar institucional, ekonomik, social dhe kulturor të AK-së në nivel kombëtar dhe në projektin e zhvillimit rajonal të të gjithë qarkut të Durrësit. Specifikisht për pozitën gjeoekonomike dhe resurset historike, arkeologjike dhe kulturore, projekti për zhvillimin e qarkut të Durrësit ka në themel shndërrimin e këtij qarku në projektin e parë pilot për standartizimin e integruar europian. Qarku i Durrësit përbën nyjen midis portit, aeroportit dhe kryqëzimit të dy korridoreve të mëdha. Korridori 8, që kalon nga Durrësi drejt lindjes, dhe Korridorit 10 që kalon nga porti i Durrësit drejt Europës Perëndimore dhe Qendrore. Projekti pilot për standartizimin europian të qarkut të Durrësit, përfshin ndërtimin infrastrukturor në çdo cep të qarkut, integrimin e zonave urbane me ato rurale, të mjediseve rezidenciale moderne me zonat informale, harmonizimin e mjedisit detar dhe malor, historik dhe modern. Projekti pilot për këtë qark do t’i paraprijë me modelin e vet integrimit europian të Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë vëmendja kryesore e këtij projekti përqendrohet në vënien në eficensë të industrisë së detarisë, të lundrimit, të peshkimit, ruajtjes së biodiversitetit dhe të standartizimit të të gjithë infrastrukturës dhe shërbimeve turistike.

– Si e shihni Durrësin, problemet e tij dhe cili është vizioni juaj për to, në veçanti për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të pasurisë arkeologjike të mbitokës dhe nëntokës?

– Qarku i Durrësit nga malësia e Krujës deri tek Shkëmbi i Kavajës është shembulli më sinjifikativ për mënyrën kaotike, të fragmentuar dhe krejtësisht të pastandartizuar të zhvillimit ekonomik, urban dhe socialo-kulturor. Eshtë për të ardhur shumë keq, që ky qark, ku shqiptarët kanë pasur katër herë kryeqendrat e zhvillimit të tyre, nga Dyrrahiumi, Zgërdheshi deri te Kruja e Kastriotit, i vështruar nga lart ngjan më shumë me një rrënojë masive, sesa me pjesën qendrore të një vendi që pretendon të europianizohet. Specifikisht në këtë qark ka pasur migracion të brendshëm, që nga Kukësi, Tropoja e Dibra dhe deri tek Skrapari, Kolonja e Tepelena. Ky migracion i madh ka sjellë një shtim të konsiderueshem të popullsisë, i cili i është lëne spontanitetit urban, ndërtimor, ekonomik, social, arsimor e shëndetësor. Sistemimi i gjithë kësaj situate kaotike dhe të fragmentuar dikton domosdoshmërisht një studim të thellë dhe të detajuar, i cili do t’i paraprij masave juridike, ekonomike, infrastrukturore deri tek ato arsimore dhe shendetesore. Ky studim ka nisur nga ana jonë dhe neve synojmë që të miratojm në parlamentin e ardhshëm ligjin për shpalljen e qarkut të Durrësit si projekt pilot i standartizimit europian. Një kapitull më vete përbën në këtë projekt korrigjimi shumë serioz i politikës mjedisore. Kemi ndotje të konsiderueshme të tokës, ajrit dhe ujit, si dhe rrënim të pyjeve nga Malësia e Krujes e deri poshtë dhe shkatërrim barbar me veprimtari të paligjshme për prodhim gelqereje, çakulli dhe biznese të tjera të jashtëligjshme. Për mua si studiues i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kulturore të popullit tonë me popujt e tjerë është shumë e dhimbshme që thesari arkeologjik i Durrësit, kultura antike e Zgërdheshit dhe ndriçimi i kryeqendrës së Skënderbeut jane mbuluar deri në kërcënim nga ndërtime barbare dhe të shëmtuara. Në projektin pilot të standartizimit europian të qarkut pastrimi dhe rehabilitimi, restaurimi i qendrave historike, arkeologjike dhe kulturore të qarkut synon nga ana jonë që t’i shpallë ato pronësi të UNESKO-s, si pjesë e thesarit dhe kontributit shqiptar në kulturën botërore. Në zonat historike, arkeologjike dhe kulturore projekti ynë synon një ndërhyrje shumë të shpejtë, sepse çdo ditë që kalon rrënon vlera të parikthyeshme.

– Çfarë ju lidh me Durrësin?

– Kam hyrë në këtë fushatë elektorale për herë të parë, pas 22 vitesh, po në tërë qarkun e Durrësit kam qenë shume prezent si studiues, si profesor, si diplomat dhe si qytetar shqiptar. Kam qenë shumë prezent sepse Durrësi nuk është qark periferik, por një mjedis në qendër të Shqipërisë, që nga mali i Skënderbeut deri te Shkëmbi i Kavajës, duke përfshirë gjithë bregdetin e tij. Duke qenë një qark në qendër të Shqipërisë ai nuk mund të zhvillohet me njerëz me mendje dhe vizione lokale. Përkundrazi kërkon përfaqësues me misione dhe vizione moderne, europiane dhe globale.

– Vlerësimi juaj për rivalët dhe kë konsideroni të tillë në këtë garë elektorale?

– Unë i njoh dhe i respektoj rivalët politikë në qark. Ajo që përbën diferencën time me të gjithë rivalet e mi, ka të bëjë me faktin se unë së pari vij në qarkun e Durrësit për ta shndërruar atë në Projekt Pilot të standartizuar europian, ndryshe nga vizionet shumë lokale dhe të fragmentuara të rivalëve të mi. Së dyti, une vij tërësisht i çliruar nga grupet e interesit dhe të biznesit të ligjshëm e të paligjshëm ndryshe nga një pjesë e rivalëve të mi, që nuk kanë arritur të ndajnë dhe as do të munden të ndajnë as në të ardhmen interesat e tyre biznesore nga shërbimet politike e publike. Së treti, vij në qarkun e Durrësit me një projekt krejtësisht të ri, në të cilin reflektohet e gjithë kultura dhe eksperienca ime ndërkombëtare ndryshe nga një pjesë e rivalëve të mi, të cilët janë tejet të konsumuar nga pozicionet e tyre në pushtetin vendor dhe atë qendror. Së katërti, vij nga një formim politik dhe akademik kombëtar dhe ndërkombëtar, i cili më ka mësuar shkencën dhe artin e komunikimit publik.

– Epërsitë tuaja ndaj tyre?

Dy armët e mija më të fuqishme janë komunikimi me qytetarët drejtpërdrejt në mënyrë interaktive dhe komunikim mediatik ndryshe nga rivalet e mi kryesor, të cilët po komunikojnë me postera dhe me autofotografe pasi nuk zotërojnë asnjë element shkencor dhe profesional në shkencat dhe artin e komunikimit publik dhe mediatik. Aleati im ka qenë qytetari i qarkut të Durrësit. Me të dhe për të e kam bërë të gjithë fushatën. Ndryshe nga mënyra ime e të bërit të fushatës rivalë kryesorë po bëjnë fushatë skutave me rrjetet e vjetra të tranzicionit, me grupet e interesit monopoliste dhe ekskluzive, si dhe duke përdorur metoda jo të lira dhe të ndershme. Mendoj se kjo diferencë midis meje dhe atyre masivisht është kuptuar dhe konsideruar nga banorët e Durrësit.

Përfitoj nga kjo intervistë t’i ftoj rivalët e mi kryesorë në çdo lloj debati publik dhe mediatik lidhur me projektin e AK-së në nivel rajonal dhe kombëtar në qarkun e Durrësit. I ftoj që të përdorim të gjithë së bashku metodat e lira dhe të ndershme. I ftoj rivalet e mi të heqin dorë nga praktikat dhe metodat e së kaluarës, siç janë manipulimi, shantazhi dhe korruptimi i njerëzve, strukturave dhe sidomos të komisioneve nga qendrat e votimit deri tek qendrat e numërimit të votës.

-Po thoni se keni konstatuar probleme madhore gjatë fushatës, përfshi dhe blerje votash?

Mjerisht në Qarkun e Durrësit janë të pranishme thuajse të gjitha praktikat dhe metodat që janë në kundërshtim me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Jam informuar se që nga lirimi i të burgosurve për qëllime elektorale e deri te shantazhimi për heqjen e njerëzve nga puna, që nga diversioni miklues për pozita shtetërore e deri te korruptimi ordiner i njerëzve të varfer, po përdoren thuajse në të gjithë qarkun dhe në të tëra nivelet. Unë kam rreth 22 500 antarë në listat e qarkut të Durrësit, sikundër 960 persona të strukturave të mia aktive që më informojnë çdo ditë për dukurite që kërcënojnë një fushatë të lirë dhe të ndershme në Qarkun e Durrësit. Unë bëj fushatë konstruktive, të moderuar, të ndershme dhe me shumë etikë ndaj rivalëve të mi. Të njëjtën gjë do të dëshiroja edhe prej tyre deri në përfundim, daljen e rezultatit.

Jam optimist se banorët e Durrësit do e çmojnë pozitivisht dëshirën dhe vullnetin tim, për t’i dedikuar gjithçka kombit tim dhe qarkut të Durrësit, që e çmoj dhe e dua jashtëzakonisht shumë. Nga ky qark nis marshimi i Shqipërisë drejt integrimit. Nga ky qark nis dhe përfaqësimi parlamentar i AK-së në këto zgjedhje. Përveçse mirënjohjes nuk kam asgjë tjetër për të shprehur për qytetarët e mrekullueshëm të qarkut të Durrësit.

/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/