Drejtuesi “AlbtoursD”, një prej agjensive më të mëdha turistike të qytetit, Edmond Basho, thekson se pavarësisht se këtë vit ka një tendencë rritjeje në numrin e prenotimeve, kjo tendencë është me kah për nga jashtë Shqipërisë e jo brenda vendit. Sipas tij, Durrësi me ato çfarë ofron aktualisht është i përshtatshëm vetëm për pushues me pak pretendime në drejtim të shërbimeve dhe infrastrukturës turistike.

Z. Basho, ju jeni prej shumë kohësh operator në këtë treg. Cilat janë veçoritë e këtij sezoni që sapo ka nisur?

Kemi dy lloje pushuesish, ata që udhëtojnë jashtë vendit dhe ata që vijnë për të pushuar në Shqipëri. Të dy tregjet kanë një tendencë të lehtë rritje në krahasim me vitin e kaluar. Prenotimet, ndryshe nga vitet e tjera, sivjet duket se kanë një trend rritjeje.

Çfarë ofertash turistike ofron Durrësi në raport me vendet e tjera të rajonit?

Durrësi nuk ka ndonjë gjë më shumë se ato që ka patur, është akoma shumë larg resurseve që ofrojnë destinacionet jashtë vendit.

A ka pushues që vijnë në Durrës nëpërmjet agjensive?

Sigurisht që ka dhe ky numër është në rritje. Por sasia numerike është akoma e kufizuar. Tregu turistik në Durrës është ende shumë i mirë për pushuesit kosovarë dhe ata maqedonas.

Nëse krahasojmë qytetin e Durrësit me Budvën, Dubrovnikun, Korfuzin, Sharm el Sheik etj. si paraqitet tregu turistik? Po çmimet?

Për momentin nuk mund të bëhen akoma krahasime të tilla. Mund të thuhet vetëm se çmimet janë të pranueshme për atë që ofrohet.

Sa ndikojnë çmimet dhe infrastruktura turistike?

Çmimet ndikojnë pak, pasi ka zgjedhje me çmime konkuruese, infrastruktura pengon shumë.

Çfarë problemesh vihen re?

Plehrat dhe ujrat e zeza, mungesa e shërbimit të tualetit në plazh si dhe ai i hapësirave publike për pushuesit.