Teuta në basketboll për meshkuj është kualifikuar në finale, pasi mundi 79-70 Vllaznisë në gjysmëfinalen e pestë.
Me serinë e ndeshjeve në 2-2, gjithçka u vendos në gjysmëfinalen e pestë të zhvilluar në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.
Teuta e shfrytëzoi në maksimum faktorin fushë, duke i fituar të trija sfidat të luajtura para publikut të saj.
Në përgjithësi ndeshja ishte e ekuilibruar, me një avantazh të lehtë të Teutës.
Pjesa e parë mbyllet 36-34 për “Djemtë e Detit”, avantazh të cilin e theullaun edhe më tepër në përfundim të periodës së tretë, 57-52.
Në periodën e fundit, Vllaznia përpiqet të rikuperoj por pa sukses, pasi Teuta luan mirë dhe në fund fiton 79-70.
Lawani me 21 pikë e 19 rebound dhe Memçaj me 20 pikë e 10 rebound ishin dy lojtarët më të mirë për Teutën, duke i bërë të pavlefshme 19 pikët e Saab për miqtë.
Në finale Teuta do të përballet me Besëlidhjen, këtë vit formati ka ndryshuar. Ekipi kampion do të shpallet, ai që fiton katër finale.
Finalja e parë Besëlidhja – Teuta, do të zhvillohet të mërkurën në 15 maj duke nisur nga ora 18:00 në Parkun Olimpik “Feti Borova”.