Besëlidhja është kryesuese e Superligës në basketboll për meshkuj pas ndeshjeve të javës së 14-të të Kampionatit Kombëtar. Lezhjanët fituan 75-67 ndaj Teutës, ndeshje e luajtur në “Asllan Rusi”, një përballje mjaft e fortë mes dy ekipeve që kryesojnë kampionatin.

Lezhjanët patën një avantazh të lehtë gjatë gjithë ndeshjes, duke mos lejuar në fund durrsakët që të rikuperojnë e përmbysin shifrat. Morris me 23 pikë e Jordan me 19 ishin dy lojtarët më të mirë të Besëlidhjes, duke i bërë të pavlefshme 27 pikët e Sullivan për Teutën.

Në vendin e tretë qëndron skuadra e Kamza Basket, që në shtëpinë e saj mposhti 83-66 Apoloninë, në një takim pa shumë histori. E lehtë edhe fitorja e Tiranës, 121-88 ndaj Vllaznisë, ndeshje e luajtur në Shkodër. Për bardheblutë u dalluan Hamati me 30 pikë e Bonner me 28.

Pas javës së 14, Besëlidhja tashmë në kuotën e 25 pikëve ndodhet e vetme në vendin e parë të renditjes, teksa ka lënë poshte Teutën me 24 pikë, ndërsa renditja vijon me Kamzën 22, Tiranën 21, Apoloninë 19 dhe Vllazninë e fundit me 15 pikë.