Janë luajtur ndeshjet e javës së 14-të të Superligës në basketboll për meshkuj. Skuadra e Goga Basket mposhti 84-71 Partizanin, një përballje mes dy ekipesh pretendente për titull këtë sezon, ndeshje e luajtur në mjediset e “Akademisë Goga”.
Fitorja e ekipit durrsak ishte e merituar, duke patur një epërsi prej 10-15 pikësh gjatë gjithë kohës. Goga Basket u shkëput që në pjesën e parë dhe e ruajti epërsinë edhe në 20 minutata e dyta, me të kuqtë që ishin gjithnjë në ndjekje, pa mundur të barazojnë, duke pësuar humbjen e gjashtë sezonale. Goga ruan kështu kreun e renditjes.
Teuta arriti një fitore jo shumë të lehtë ndaj Kamza Basket me rezultatin 100-85, ndeshje e luajtur në Kamëz. Të dyja ekipet luajnë për objektiva të ndryshëm këtë sezon, durrsakët për titullin dhe kamzalinjtë për mbijetesë në Superligë. Ndaj dhe skuadrat dhuruan një ndeshje me rivalitet dhe emocione edhe pse durrsakët kishin një epërsi të lehtë.
Ndaj, fitorja e miqve ishte e merituar, duke marrë një sukses që i mban në vendin e dytë, ndërsa Kamza qëndron në vendin e parafundit dhe vijon të duelojë për mbijetesë.





