17gusht 2015 – Sikur të mos mjaftonte humbja e thellë ndaj Danimarkës dy ditë më parë me 100 pikë diferencë (12-112), ka ardhur një tjetër disfatë edhe më e rëndë (e treta radhazi) për Kombëtaren U-16 në basketboll për vajza, që merr pjesë në Divizionin B të kampionatit europian, Grupi A. Basketbollistet e reja shqiptare janë mundur 113-11 këtë herë nga Rumania, në një tjetër ndeshje të luajtur dobët, ku kombëtarja jonë ka dështuar duke mos arritur jo vetëm të rivalizojë, por as të shënojë. Perioda e parë nis me epërsinë e rumuneve 10-0, ndërsa tonat nuk dinë të shënojnë. Pikët e para për Shqipërinë vijnë pas 5 minutave me trepikëshin e Toskës pas asistit të shërbyer nga Zllaticanin. Shqiptaret shënojnë dy pikët e radhës nga gjuajtjet e lira me Dalipajn dhe perioda e parë mbyllet 19-5. Të dorëzuara që në 10 minutat e para, shqiptaret vazhdojnë të humbin terren 29-5, 33-5, 41-7, 44-7. Vetëm 2 pikë për vajzat e drejtuara nga trajneria Florentina Mitku ndaj 25 të rumuneve në këtë periodë të radhës. Me turp përfundojnë edhe 10 minutat e treta 39-2 dhe rezultati i përkohshëm 83-9. Diletantizmi i kombëtares kuqezi zgjat edhe në 10 minutat e fundit të makthit me Rumaninë, ku realizohen po 2 pikë ndaj 30 të rivaleve. Krejt ndeshja përfundon 113-11. Vetëm 3 basketbolliste shqiptare arritën të realizojnë Toska 3, Dalipaj 4 dhe Fekollari 4. Përfundimisht basketbolli i femrave është në kolaps.