Goga Basket ka pësuar humbjen e parë sezonale në kampionat.
Skuadra durrsake u mund 70-58 në Vlorë nga Flamurtari, në ndeshjen që mbylli javën e 7-të të Kampionatit Kombëtar në basketboll për femra, Grupi A. Një fitore që kishte shijen e hakmarrjes për basketbollistet vlonjate, pas humbjes së fazës së parë, në Durrës.
Ndeshja e luajtur sot në Vlorë ishte me rivalitet dhe emocione, të dyja ekipet e kërkuan fitoren, por në fund ajo i takoi me meritë skuadrës vendase.
Basketbollistet e trajnerit Toska bënë diferencën në parket dhe përfituan më së miri nga faktori fushë, duke u shkëputur dhe arritur një sukses të rëndësishëm ndaj një rivali direkt për titull.
Pas kësaj jave, Flamurtari dhe Goga Basket ndajnë mes tyre kreun e renditjes, në kuotën e 13 pikëve secila.





