Flamurtari në basketboll për femra ka fituar 58-53 ndaj Goga Basket në ndeshjen kryesore të javës së 12-të të Kampionatit Kombëtar, të vlefshme për Grupin A1, sukses që ka rikthyer kampionet vlonjate në krye të renditjes.
Ndeshja e luajtur në Durrës ka qenë gjatë gjithë kohës e ekuilibruar, të dyja skuadrat kanë dueluar fort për ta fituar atë, por në fund kanë triumfuar basketbollistet mike, që korrën suksesin e 10-të sezonal. Një humbje që zbret ekipin e Gogës në vendin e dytë në renditje, me pikë të barabarta me Tiranën.
Durrsaket e nisën më mirë takimin, udhëhoqën 19-13 në përfundim të periodës së parë, ndërkohë që vlonjatet rritin presion me kalimin e kohës dhe barazojnë shifrat në 27-27 në mbyllje të 20 minutave të para. Mikeshat marrin shpejt komandën e lojës në çerekun e tretë, ku udhëheqin 43-39, avantazh i ngushtë por që ruhet deri në fundin e takimit, falë edhe një skuadre më të kompletuar.
Flamurtari fitoi 58-53, duke u bërë skuadra e parë këtë sezon që arrin kuotën e 10 fitoreve, sukses i rëndësishëm që arrihet në fushën e një ekipi rival për titull.





