Pas Elektra Zykajt, një tjetër bukuroshe e basketbollit shqiptar, Igena Qypi, magjeps në parket jo vetëm për pamjen e saj, por më së shumti për talentin e shkëlqyer që mbart
Basketbollistja e Goga Basket ka “qëndisur” emrin e saj në plejadën e këtij sporti, pasi kurrë më parë asnjë lojtare nuk kishte arritur të bënte atë që bëri Qypi. Kjo e fundit realizoi 100 pikë në sfidën kundër Kamzës, e cila u mbyll me suksesin e skuadrës së Henri Mojës me rezultatin 133-25 duke thyer, rekordin e Elona Merkajt me 86 pikë.Igena, me zërin e ndrydhur nga emocionet, e ka analizuar në këtë mënyrë paraqitjen e saj për gazetën: “Këtë rekord duhet thënë se nuk e prisja. Si zakonisht në parket zbriti formacioni i parë për të luajtur ndeshjen e radhës në kampionat.
Mirëpo, sot (dje) ishte dita ime me fat, pasi më ecte dora në çdo gjuajtje, të cilat pothuajse në 100% të rasteve përfundonin në kosh. Sigurisht, edhe skuadra më ka ndihmuar shumë për të regjistruar këtë rekord”.Më tej, Qypi theksoi se shënimi i 100 pikëve nuk ka qenë një ndër objektivat e saj që kur ka hedhur hapat e para në basketboll: “Nuk e kisha si synim, por, pse jo, uroja që një ditë të regjistroja një rekord kombëtar.
Sigurisht që të shkruaj emrin tim në librin e rekordeve ka qenë një ndër ëndrrat e mia”.E pyetur nëse është e bindur që ky rekord do të zgjasë për një kohë të gjatë, Qypi tha: “Nuk i dihet kurrë. Sigurisht, do kisha preferuar që rekordin tim ta kisha sigluar në një ndeshje të fortë dhe me rivalitet, në fazën finale e gjysmëfinale. Por, jam e vetëdijshme se kur konkurrenca është e madhe, vështirë se realizohet një numër kaq i madh pikësh”.Në fund të intervistës, Qypi foli edhe për mënyrën se si e kanë pritur rekordin e saj: “Skuadra ishte shumë e lumtur dhe të pranishmit në pallatin e sportit më pritën me ovacione. Shumë njerëz më kanë uruar në fund me mesazhe dhe telefonata. Kundërpërgjigje ndaj rekordit të Zykajt? Absolutisht që jo. Mendova të shënoj sa më shumë pikë për veten dhe për skuadrën. Kjo tregon se po kaloj një formë të mirë sportive dhe kam një skuadër të shkëlqyer që më ndihmon shumë. Siç e thashë, pothuajse çdo goditje nga 3 dhe 2 pikë përfundonte me sukses dhe e shfrytëzova ditën time më të mirë për të realizuar sa më shumë pikë në parket”.Për sa i përket sfidës, ajo nuk pati histori. Diferencat ishin të dukshme dhe gjithçka u kthye në një spektakël personal të Qypit. Çdo top i prekur prej saj shoqërohej me ovacione, jo vetëm nga vajzat e stolit, por edhe te të pranishmit në shkallët e pallatit të sportit “Ramazan Njala”.