Me dy takime të luajtura të shtunën dhe të dielën, Kategoria e Parë e basketbollit për femra ka kompletuar javën e 18-të. Tirana nuk fali në shtëpi, teksa mposhti Teutën me rezultatin 99-89 në sallën “Farie Hoti”.
Skuadra e drejtuar nga Mirza Alibegaj e udhëhoqi sfidën nga fillimi e deri në fund, për të merituar suksesin. Perioda e parë pati ritëm të mirë nga të dyja ekipet, me Tiranën që fitoi 27- 21. Ekipet treguan rendiment edhe më të lartë në çerekun e dytë, ku sërish vendëset bënë mirë, duke e marrë periodën 34-25, për të shkuar në pushimin e madh në shifrat e përgjithshme 61-46.
Çereku i tretë nuk ndryshoi asgjë, i mbyllur në ekuilibër të plotë 22-22, ndërsa pas 30 minutash lojë rezultati në tabelë shënonte 83-68 për Tiranën. Teuta provoi të afrohej në 10 minutat e fundit, duke e ftuar periodën 16-21, për në shifra të përgjithshme fitorja i shkon Tiranës me +10 pikë. Protagonistja absolute e këtij takimi ishte Liliane Ikete, MVP me 42 pikë e 18 kërcime për skuadrën bardheblu. Për ekipin bregdetar nuk mjaftuan Jainaya Jones me 27 pikë dhe Anyilah Bryant me 26 pikë. Me këtë fitore Tirana arrin Flamurtarin në krye të tabelës, ndërsa Teuta ndodhet në vendin e katërt, por me një ndeshje më shumë se Vllaznia.