Teuta është fituese e Supekupës së Shqipërisë për vitin 2021.

Skuadra bregdetare mundi Tiranën pas kohës shtesë në finale me rezultatin 113-108.

Ndërkohë me fitimin e Superkupës, Teuta i vendos qershinë mbi tortë një viti perfekt, ku pas Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë, i shton një tjetër trofe muzeut të klubit.

Kjo ishte Superkupa e tretë në histori për durrsakët.

Për kapitenin Kristi Gorea, ky ishte trofeu i tretë që ngre lart këtë sezon, duke mbyllur një vit të shkëlqyer për Teutën.

Gorea u shfaq shumë i lumtur për suksesin e arritur.

“Ishte një ndeshje fantastike, për t’u luajtur dhe për t’u shijuar nga tifozët. Të dyja ekipet ishin deri në fund të motivuara për ta sjellë kupën në shtëpi, por për fatin tonë të mirë, në kohën shtesë bëmë më pak gabime dhe arritëm që të fitonim.

Viti 2021 ka qenë historik për qytetin tonë dhe besoj se do të mbahet mend gjatë në librat e historisë së basketbollit durrsak”.

Me tej, Gorea komentoi atë avantazh të shpërdoruar, që mund t’i kushtonte shumë në këtë finale skuadrës:

“Në një lojë ku sulmi është shumë rezultativ, mbrojtja fillon dhe bëhet më pak e konsoliduar. Kjo bëri që skuadra ta ulte përqendrimin në mbrojtje.

Gjithashtu, për fat të keq gjatë lojës patëm edhe ngarkime personale të lojtarëve kryesorë, të cilët filluan të ruhen.

Ndërsa Tirana përfitoi mjaft mirë dhe mori avantazhin.

Por për fatin tonë të mirë kemi lojtarë të rinj energjik dhe luftëtarë, të cilët luftuan deri në fund, duke mos u dorëzuar”, përfundoi Gorea, i cili në finale regjistroi 12 pikë, 7 kërcime dhe 3 asiste.