Skuadra e Goga Basket ka mposhtur 90-76 Vllazninë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të të Superligës në basketboll për meshkuj, java e parë e fazës së dytë të Kampionatit Kombëtar. Një ndeshje që duhej të sillte kthesën për ekipin shkodran, që është në rrezik për të rënë në Kategorinë e Parë, por nuk ndodhi kështu.

Ndeshja e luajtur në Shkodër është dominuar nga miqtë durrsakë, që falë këtij triumfi ruajnë kreun e renditjes, madje duke u shkëputur 3 pikë nga ndjekësit. Ndeshja nis menjëherë mirë nga basketbollistët e Gogës, një ekip më i konsoliduar në fushë, ndërkohë që të huajt e ardhur te Vllaznia në merkaton e janarit nuk dhanë atë që pritej.

Vllaznia ishte ende një ekip në ndërtim e sipër, çka u pa në veprimet sulmuese në fushë, ku vendasit nuk ishin ende të qartë. Kjo e lehtësoi punën e skuadrës së Goga Basket, gjithnjë superiore në fushë në çdo drejtim, duke u shkëputur deri në 20 pikë dhe merituar fitoren.

Vllaznia vijon të jetë në vendin e fundit në renditje dhe kjo humbje nuk e lehtëson aspak pozitën e saj edhe pse sot luajti ndaj ekipit që kryeson renditjen. Te Goga Basket veçohet debutimi në stol i trajnerit Lazimi, që ka zëvendësuar malazezin Milovanovic, që u largua pas humbjes në finalen e Kupës së Shqipërisë, një javë më parë.