Liga Unike e basketbollit të meshkujve ka luajtur dje takimet e para të “play off”-it. Teuta dhe Prizreni kanë marrë fitore të rëndësishme, duke hedhur nga një hap të madh drejt “Final 4”.
Durrsakët fituan raundin e parë ndaj Tiranës me rezultatin 96-81 dhe tashmë do të paraqiten në ndeshjen e kthimit me një avantazh të rëndësishëm prej +15 pikësh.
Takimi i luajtur në “Ramazan Njala” ishte mjaft i bukur, i shoqëruar gjithashtu me agresivitet, tension dhe luftë të fortë sportive. Për të lënë pas humbjen e disa ditëve më parë, Teuta që në fillim tregoi se kërkonte hakmarrjen.
Loja e bregdetarëve nisi shumë agresive, por në të njëjtën mënyrë u përgjigj edhe Tirana. Pas minutave të para në baraspeshë, vendasit u shkëputën në 14-6. Tirana u afrua ndjeshëm, por çereku i parë shkoi në favor të Teutës në shifrat 29-23.
Në periodën e dytë miqtë kërkuan kundërpërgjigjen, teksa dy minuta nga fundi, një 3- pikësh i kapitenit Red Voglit bëri që disavantazhi të shkonte në vetëm 1 pikë (44-43).
Bardheblutë e fituan 10-minutëshin e dytë 21-24, por në shifra të përgjithshme ishin vendësit që kryesonin 50-47 pas gjysmës së takimit.
Me fillimin e pjesës së dytë, Teuta falë një organike më të pasur lojtarësh, përballë kryeqytetasve që kanë parë t’u largohen në mënyrë të beftë dy amerikanët, filloi gradualisht shkëputjen.
Megjithatë, loja vijoi me shumë agresivitet, duke bërë që disa herë ndeshja të ndërpritej edhe për tension mes lojtarëve. Të zotët e shtëpisë e fituan periodën e tretë 24-18, duke shkuar në pushimin pas 30 minutash në shifrat 74-65.
Çereku i fundit ishte me të njëjtin ritëm, me Teutën që kërkoi të thellonte sa më shumë diferencën e pikëve, për vetë formulën që të dërgon më tej në këtë fazë të Ligës Unike.
Kampionët e Shqipërisë ia dolën teksa e fituan edhe këtë fraksion 22-16, duke marrë një triumf me vlera. Core me 24 pikë, Peterson me 22 dhe Frenki Lilaj me 21, ishin lojtarët më të mirë në radhët e bregdetarëve.Për t’u veçuar në këtë takim ishte edhe rikthimi në sallë i presidentit të durrsakëve, Arqile Gorea, i cili muajt e fundit ka pasur disa probleme shëndetësore, të cilat, për fat të mirë, tashmë gradualisht po i hedh pas krahëve.Ndërkohë, në radhët e Tiranës, për sa u përket paraqitjeve individuale spikatën Hamati me 20 pikë dhe Hysenagolli me 17 pikë e 13 kërcime.