Teuta ka fituar kundër Partizanit në ndeshjen hapëse të javës së katërt të kampionatit kombëtar në basketboll për meshkuj. Bregdetarët e Nikola Milatoviçit nuk falën në shtëpi përballë “demave”, duke regjistruar një triumf në shifrat 86-74, në një takim të cilin e udhëhoqën nga fillimi e deri në fund. Ky ishte suksesi i dytë në kampionat për Teutën, që arrin të reagojë pas disfatës që pësoi një javë më parë në Shkodër kundër Vllaznisë. Ndërsa nga ana tjetër, Partizani, pësoi humbjen e tretë në katër takime. Njeriu i ndeshjes në “Ramazan Njala” ishte amerikani Patrick Bacon, i cili për pak nuk preku tripletën dyshifrore për vendësit.

Teuta e nisi takimin në mënyrën e duhur, me efikasitet të lartë në sulm dhe me një fazë mbrojtje solide, ndërsa Partizani u pa menjëherë në vështirësi. Durrsakët fituan 22-8 në periodën e parë, ndërsa e fillojnë mjaft mirë edhe çerekun e dytë, duke thelluar deri në +24 pikë, kur kishin mbetur edhe 3 minuta nga fundi i periodës.

Kështu edhe perioda e dytë mbyllet 27-23 për durrsakët, të cilët shkojnë në pushim në shifra të përgjithshme me avantazhin 49-31. Me gjithë përpjekjet e skuadrës së Erdal Borovës në pjesën e dytë, vendësit e administrojnë epërsinë, duke marrë triumfin në shtëpi. Pesë lojtarë të Teutës regjistruan kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa MVP u shpall Bacon. Amerikani tregoi një formë fantastike, duke u aktivizuar përgjatë 40 minutave, për të shënuar 34 pikë, 12 kërcime dhe 8 asiste. Në radhët e Partizanit spikati kapiteni Abdel Gjyzeli, me 20 pikë, 10 kërcime dhe 2 asiste.