Superliga e basketbollit për meshkuj ka kompletuar të shtunën javën e gjashtë me përballjen ndërmjet Teutës dhe Vllaznisë në Durrës. Një ndeshje me rivalitet, por që në fund u buzëqeshi të zotëve të shtëpisë, të cilët fituan me rezultatin 92- 86. Teuta e bëri diferencën në gjysmën e dytë te ndeshjes, për tu rikthyer te suksesi pas tri humbjeve radhazi, ndërsa Vllaznia vazhdon të zhgënjejë në këtë pjesë të parë të sezonit, me pesë humbje në gjashtë ndeshje të zhvilluara, për tu “parkuar” në vendin e fundit të renditjes.
Takimi i luajtur mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, nisi interesant, me të dyja skuadrat që luftuan fort në periodën e parë, fraksion që u mbyll në ekuilibër të plotë, 20-20. Teuta e nisi periodën e dytë duke shënuar 5 pikët e para, por gradualisht miqtë filluan të fitojnë terren, për ta marrë 10-minutëshin 17- 21, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin 31-41 në shifra të përgjithshme.
Por me rikthimin në parket, durrsakët e drejtuar nga greku Christos Kousidis, e rrisin ndjeshëm rendimentin, sidomos në fazën sulmuese, teksa e marrin periodën e tretë 31-25, duke përmbysur në 68-66 pas 30 minutash lojë. Rivaliteti vijon edhe ne çerekun e fundit, me kuqeblutë e Damian Bekteshit që provojnë të reagojnë, megjithatë durrsakët e menaxhojnë mirë lojën, ndërsa e fitojnë edhe periodën e katërt 24-20, duke korrur suksesin e tretë në kampionat.
Rikthimi i Teutës të fitoret përkon edhe me rritjen e performancës së Bryan Powell, pasi amerikani ishte lider absolut në këtë takim, duke regjistruar 42 pikë, 11 kërcime dhe 2 asistime, për të merituar vlerësimin MVP. Spikati gjithashtu edhe Jalon Andrews me 21 pikë dhe 11 kërcime. Për Vllazninë u dallua amerikani Maurice Walton me 23 pikë, 16 kërcime dhe 3 asistime. Për tu veçuar në këtë takim ishte edhe kontributi shumë i ulët nga lojtarët e stolit për të dyja ekipet, me vetëm 3 pikë gjithsej të shënuara nga pankina, të erdhën nga Klevis Merdhoci i Teutës.