Superliga e basketbollit të meshkujve ka mbyllur fazën e dytë të kampionatit që shënon edhe përfundimin e gjysmës së sezonit të rregullt.
Është Teuta skuadra që do t’i kalojë festat e fundvitit si kampione e dimrit. Durrsakët siguruan të shtunën fitore në transfertë në takimin e javës së dhjetë, teksa mposhtën Vllazninë në Shkodër me rezultatin 73-90 (24-29, 26-17, 13-21, 10- 23).
Kuqeblutë, të cilët vinin në këtë përballje pas fitores ndaj Tiranës, mundën që të rezistonin deri në fundin e periodës së tretë. Më pas kualiteti më i lartë i kampionëve në fuqi bëri diferencën në parket.
Vires me 21 pikë, Sullivan me 19 pikë dhe 11 ribaunde, Peterson me 19 si dhe kapiteni Gorea me 18, ishin lojtarët që udhëhoqën bregdetarët në këtë triumf. Te Vllaznia shënuesi më i mirë ishte Njike, autor i 15 pikëve.