Apolonia ka vendosur baraspeshën 1- 1 me ndeshje në serinë e gjysmëfinaleve kundër Teutës në Superligën e basketbollit të meshkujve. Pasi ishin mundur me 1 pikë në takimin e parë në Durrës, fierakët nuk falën në fushën e tyre, duke fituar me rezultatin 83-71 në përballjen e zhvilluar mbrëmjen e djeshme. Apolonia e kontrolloi lojën nga fillimi e deri në fund, duke mos e vënë në diskutim për asnjë moment suksesin. Perioda e parë nisi me ritëm, fraksion që u mbyll 27-24 për skuadrën e Aldi Gërmaut. Fierakët morën edhe çerekun e dytë 21-17, duke kryesuar 48-41 pas gjysmës së ndeshjes.

Vendëset thelluan edhe më shumë në çerekun e tretë, ku ftuan 23-16, për të shkuar në 71-57 pas 30 minutash lojë. Apolonia e administron rezultatin në periodën e fundit, fraksion që mbyllet 12-14 për Teutën, por në shifra të përgjithshme triumfi shkon për vendësit me 12 pikë avantazh. Ndonëse e nisi nga pankina, amerikani Jibril Harris ishte lojtari i ndeshjes, duke udhëhequr Apoloninë me 18 pikë, 16 kërcime dhe 5 asistime, mbështetur nga Nicholas Huroëitz me 15 pikë e 10 kërcime. Për Teutën, nuk mjaftuan dy amerikanët, Tiras Morton me 29 pikë e 10 kërcime dhe Bryan Powell me 21 pikë e 7 kërcime. Seria e gjysmëfinaleve do të zhvendoset tashmë në Durrës, me takimin e tretë në 17 prill.