Është Teuta skuadra e dytë finaliste në Superligën e Basketbollit për Meshkuj për edicionin 2024-2025. Durrsakët fituan kundër Apolonisë me rezultatin 66-69 në gjysmëfinalen e katërt të “play off”-it, duke e mbyllur serinë 3-1 me ndeshje, për të hipotekuar kualifikimin. Ashtu sikurse në sezonin e kaluar, Teuta duhet të matë forcat me Besëlidhjen në finalet për titullin kampion, teksa lezhjanët mbeten favoritët e mëdhenj për t’u konfirmuar në fron. Për sa i përket ndeshjes së mbrëmshme në Fier, ajo ishte e luftuar dhe me emocione deri në fund. Teuta mori periodën e parë 20-22, ndërsa Apolonia fitoi të dytën 17-15, duke bërë që ekipet të shkonin në pushim në ekuilibër të plotë në shifrat 37-37.
Vendimtare për suksesin e miqve do të rezultonte perioda e tretë, aty ku Teuta fitoi 17-23, duke kryesuar 54-60 pas 30 minutash lojë. Durrsakët janë gjatë të gjithë kohës përpara në pikë edhe në periodën e katërt, por fierakët afrohen deri -1, kur kanë mbetur 57 sekonda lojë. Në fund, Bryan Powell me dy finalizime të sakta të lira, vulos triumfin me 3 pikë për Teutën dhe kualifikimin për në finale, aty ku durrsakët duket se janë të abonuar gjatë viteve të fundit.
Për Teutën do të jetë hera e gjashtë në shtatë edicionet e fundit që luan në finalet “play off”, duke mos llogaritur kampionatin e anuluar në kohën e pandemisë me bregdetarët që ishin në krye të klasifikimit. Tiras Morton ishte lojtari i ndeshjes, me amerikanin që regjistroi 19 pikë, 13 kërcime dhe 3 asistime. 18 pikë dhe 10 kërcime për Bryan Powell, ndërsa Kristi Gorea e mbyll me 12 pikë e 9 kërcime. Për Apoloninë nuk mjaftuan Bradley Kaboza me 16 pikë e 10 kërcime si dhe Jibril Harris, autor i 10 pikëve dhe 12 kërcimeve.