Janë zhvilluar ndeshjet e javës së 14-të të kampionatit kombëtar në basketbollit për meshkuj. Teuta ka lënë pas momentin negativ me dy humbje radhazi në kampionat, teksa është rikthyer të fitoret, duke mposhtur Vllazninë në “Ramazan Njala” me rezultatin 92-73 (21-19, 21-22, 25-19, 25- 13). Pas një pjesë të parë të ekuilibruar, bregdetarët e bënë diferencën në gjysmën e dytë të takimit.
Nga ana tjetër Vllaznia, e cila vinte nga euforia e triumfit të një jave më parë ndaj Tiranës, nuk mundi të mbante ritëm të lartë gjatë të gjithë sfidës, teksa loja e kuqebluve erdhi në rënie, sidomos në periodën e katërt. Pikëshënuesi më i mirë i takimit ishte shkodrani Memçaj, i cili e ndëshkoi ish-skuadrën e tij me plot 29 pikë.
Gjithashtu për Teutën shkëlqeu edhe amerikani Bacon, MVP me 27 pikë, 10 kërcime dhe 7 asistime. Te Vllaznia spikatën Wilkins me 26 pikë dhe 9 kërcime si dhe Saab me 19 pikë, 6 kërcime dhe 5 asistime.