Superliga e basketbollit të meshkujve ka zhvilluar javën e 16-të, duke nisur kështu fazën e katërt dhe të fundit për sezonin e rregullt. Fitore e rëndësishme për Teutën, e cila konfirmohet edhe një herë si forcë e dytë e kampionatit.
Durrsakët mposhtën Vllazninë me rezultatin 87-80 (18-19, 26-16, 21-18, 22-26) pas një përballje interesante në pallatin e sportit “Ramazan Njala”. Teuta e bëri diferencën në periodën e dytë dhe të tretë, për ta mbrojtur epërsinë në çerekun e fundit.
Trajneri Milatoviç nuk u dha asnjë minutë lojtarëve të stolit, ndërsa i gjithë formacioni durrsake mbylli në dopioshifër pikësh. Më i miri ishte Bryan Powell me 30 pikë e 11 kërcime. Te Vllaznia u dallua Maurice Walton, autor i 23 pikëve dhe 10 kërcimeve.