Elita e Superligës shqiptare të basketbollit për meshkuj ka mësuar finalistin e parë. Besëlidhja mposhti Vllazninë edhe në ndeshjen e tretë gjysmëfinale dhe kryesimi i serisë play-off në 3-0 bëri që lezhjanët të jenë finalistë, duke dashur të mbrojnë titullin kampion. Ndërkohë që Teuta merr avantazhin 2-1 kundër Apolonisë.

Në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës, Teuta fitoi 82-81 kundër Apolonisë dhe siguron epërinë 2-1 në serinë play-off të gjysmëfinaleve.

Në Durrës u desh shtesa për të përcaktuar fituesin, pasi katër periodat u mbyllën 72-72. Në fund, me një pikë më shumë Teuta merr avantazhin dhe ka një mundësi për të prekur finalen që në ndeshjen e radhës, që nuk do jetë aq e lehtë në Fier.