Superliga e basketbollit për meshkuj ka ngritur siparin e javës së pestë me ndeshjen Kamza-Teuta. Kamzalinjtë nuk falën në shtëpi duke i mundur durrsakët me rezultatin e thellë 91-53. Skuadra e Glen Prodanit shkëlqeu në të dyja fazat, me një mbrojtje të organizuar dhe më një sulm efikas, ndërsa bregdetarët u panë në vështirësi gjatë të gjithë kohës.
Kamza i vendosi distancat që në periodën e parë, duke e marrë atë në shifrat 18-10, për të triumfuar edhe në çerekun e dytë 18-11, duke shkuar kështu në pushimin e madh me avantazhin e përgjithshëm 36-19. Me rikthimin në parket, Kamza u mundua të administrojë, ndërsa perioda e tretë ishte e ekuilibruar, e mbyllur 20-19 për të zotët e shtëpisë, të cilët kryesonin 56-38 pas 30 minutash lojë.
Në periodën e katërt miqtë e drejtuar nga greku Christos Kusidis shpërbëhen krejtësisht, ndërsa Kamza argëtohet në parket, duke e marrë këtë 10- minutësh në shifra të thella 35-15, për të vulosur suksesin final me 38 pikë avantazh. Kjo ishte fitorja e dytë në kampionat për Kamzën, takim ku shkëlqeu Antwaan Cushingberry, MVP me tripletë dyshifrore. 13 pikë, 10 kërcime dhe 10 asistime për amerikanin. Spikatën gjithashtu edhe Jalen Vaughns me 22 pikë e 13 kërcime si dhe kapiteni Niko Thano me 15 pikë e 7 kërcime. Për Teutën rendimentin më të lartë e kishte Jalon Andews me 14 pikë dhe 13 kërcime, ndërsa Bryen Powell e mbylli me 13 pikë e 9 kërcime. Pas një fillimi të mirë të sezonit, kjo ishte humbja e tretë radhazi për Teutën.