Java e shtatë e kampi onatit kombëtar të basketbollit për meshkuj është mbyllur dje me fitoren e Tiranës përballë Teutës në “Farie Hoti”, në një ndeshje shumë emocionuese të luftuar deri në sekondën e fundit. Një sfidë që dhuroi spektakël, ndërsa nuk munguan as polemikat për arbitrimin. Bardheblutë e Erkand Karajit dolën fitues me rezultatin minimal 93-92, sukses që erdhi më përmbysje për kryeqytetasit. Ndryshe nga finalja e disa ditëve më parë në Superkupë, në të cilën Tirana dominoi tërësisht, sfida e kampionatit ishte një “thriller” i vërtetë. Pas një loje të rivalizuar, perioda e parë u mbyll 28-25 për vendësit, ndërsa me rezultatin 19-19 të çerekut të dytë, ekipet shkuan në pushim me epërsinë e Tiranës 47-44 në shifra të përgjithshme.
Por me rikthimin në parket është Teuta që luan më mirë, teksa bregdetarët e drejtuar nga Nikola Milatoviç e fitojnë periodën e tretë 17-23, duke kryesuar 64- 67 pas 30 minutash lojë. Durrsakët mbajnë ritëm të lartë edhe në periodën e katërt, teksa shkëputen deri në +10 pikë në gjysmën e periodës. Por kur dukej se gjithçka do të shkonte në favor të tyre, Tirana arrin të rikuperojë, me takimin që mbyllet 93-92 për bardheblutë, të cilët rimarrin edhe vendin e parë.
Por për këtë takim ka pasur pretendime të forta nga klubi durrsak për sa i përket arbitrimit. Presidenti i Teutës, Arqile Gorea, ka shpërthyer me akuza të rënda në drejtim të gjyqtarëve. “Ervin Koçi i rikthehet zanatit të vjetër, duke trukuar ndeshjet. Ne nuk na mundi Tirana në këtë takim, por arbitrat, të cilët po e përdorin birbilin në mënyrën më të shëmtuar. Për këtë arsye edhe ndeshjet nuk transmetohet në televizion, në mënyrë që tu lënë dorë të lirë arbitrave për të bërë të tilla pisllëqe, të cilat nuk duhet të dokumentohen në TV”, deklaron tepër i irrituar Gorea.