Duhej të ishte një ndeshje me rivalitet mes dy skuadrave më të mira të Superligës në basketboll për meshkuj, finaliste të Kupës së Shqipërisë dy muaj më parë, por në fakt ndodhi e kundërta. Tirana ka mundur me shumë lehtësi 106-58 Teutën në “Fahrie Hoti”, në takimin e vlefshëm për javën e 13-të të Kampionatit Kombëtar.
Bardheblutë e trajnerit Milatovic realizuan gati dyfishin e pikëve të miqve durrsakë, duke arritur një fitore të lehtë, që edhe ata vetë nuk e kishin menduar para fillimit të sfidës. Gjithçka u vendos në periodën e dytë, me një Teutë kaotike në parket, që realizoi vetëm 6 pikë, karshi 23 të Tiranës.
Pjesa e parë e takimit u mbyll 46-25 për Tiranën, që falë këtij avantazhi e pari shumë të lehtë në pjesën e dytë, ku e thelloi edhe më shumë epërsinë. Teuta për asnjë moment nuk arriti të rivalizojë, duke gabuar shumë dhe luajti dobët. Falë fitores, Tirana shkëputet tri pikë nga durrsakët në renditje, që ruajnë vendin e dytë, por tashmë janë vetëm një pikë mbi Vllazninë.