Faza e dytë në Superligën e basketbollit të meshkujve ka nisur me polemika të forta për sa i përket arbitrimeve. Pas pretendimeve dhe akuzave të Tiranës në ndeshjen kundër Besëlidhjes, tashmë ka reaguar edhe Teuta për takimin e saj në transfertë ndaj Kamzës.

Melzin Lazimi, trajneri i kampionëve në fuqi, ka shpërthyer ndaj gjyqtarëve për sfidën e zhvilluar të shtunën në palestrën “Halit Coka” të Bathores, takim në të cilin Teuta u mund nga Kamza vendëse.

“Kemi udhëtuar në transfertë për të zhvilluar javën e 6 –të të kampionatit kombëtar ndaj Kamzës. Pas një jave të gjatë përgatitjesh, zbritëm në fushë me dëshirën dhe strategjinë e duhur për të fituar ndeshjen.

Por kështu nuk kishte menduar FSHB-ja. Emërimi i treshes së gjykimit në këtë ndeshje ishte krejt absurd pasi nuk kishte asnjë gjyqtar ndërkombëtar, por ishte një treshe gjykimi pa kurrfarë eksperience në Superligë.

Që nga fillimi i takimit u kuptua qartë tendenca dhe njëanshmëria e dyshes Trajer Vokrri për të favorizuar Kamzën, pasi dallohej qartë arroganca dhe prepotenca e tyre në vendimmarrje.

Pas vetëm 5 minutash lojë skuadra jonë u ndëshkua me 3 gabime personale karshi kapitenit Gorea dhe amerikanit Vires. Asnjë kriter i lojës së basketbollit nuk vlente në fushë përpos kryeneçësisë së këtyre dy gjyqtarëve në misionin e tyre për të vendosur fatet e ndeshjes.

Përgjatë gjithë takimit, episodet qesharake nuk kanë fund dhe në disponojmë të gjithë materialin filmik, por pyetja ime është se ku do të kërkojmë të drejtën tonë?!”, deklaron fillimisht Lazimi, i cili më tej drejton gishtin drejt FSHB-së si përgjegjëse për këtë situatë:

“Federata është pikërisht institucioni që i emëron këto gjyqtarë dhe nuk ka as komisione për shqyrtimin e punës se tyre! Çfarë masash merr FSHB-ja për këto ndodhi?!Çfarë masash u ndërmorën për ndeshjen Besëlidhja-Teuta, ku ne dukshëm u penalizuam pavarësisht se arritëm të fitonim?! Në 6 javë kampionat në çdo ndeshje kemi parë një tendencë të tmerrshme për të cenuar skuadrën tonë, duke na bërë të mendojmë se këto janë veprimtari hakmarrëse dhe sulmuese karshi nesh”, deklaron trajneri.

Lazimi shprehet se po u hidhet poshtë mundi dhe djersa për të vendosur ndeshjet nëpërmjet pazareve. “Është e tmerrshme se si në këtë vend djersa e sportistëve shumëzohet me zero, pasi për të gjykuar dhe për të vendosur drejtësinë ne përballemi me njerëz që nuk jetojnë me sportin, por shijojnë fundjavat duke arbitruar ndeshje dhe mbushur xhepat.

Skuadra jonë gjatë javës shpenzon mbi 20 orë stërvitje dhe analiza për t’u përgatitur.Energji, sakrifica, djersë dhe gjak për të arritur në përballjen me njerëz hipokritë e pa nivel, që përveç injorancës në sport kanë dhe ligësinë për të vendosur ndeshjet nëpërmjet pazareve.Pyetja ime është se ku po shkojmë?! Në 7 vite si trajner në Superligën shqiptare nuk e kam parë kurrë më keq se kaq standardin e basketbollit në Shqipëri”, deklaron trajneri i Teutës.

Melzin Lazimi shprehet se këto situata po ndikojnë në largimin e njerëzve nga sporti i bukur i basketbollit:“Çfarë duhet të bëjmë ne si njerëz të sportit në Shqipëri?! Ne që zbresim çdo ditë në parket dhe punojmë për orë të tëra vetëm për t’u bërë objekti i vendimmarrjes së njerëzve të paaftë e hipokritë që e kanë shkatërruar basketbollin në këtë vend.

Kështu siç po veprohet është e kotë të vazhdosh të merresh me sport në Shqipëri dhe besoj se nuk është e largët dita që shumëkush do të largohet nga basketbolli”, përfundon Lazimi.