Është për t’u shënuar si sukses i ndjeshëm, vendi i katërt i basketbollit të djemve në përfundim të ndeshjes gjysmëfinale të play off-it. Në përfundim të kampionatit, Teuta u rendit në vendin e katërt duke lënë pas Flamurtarin dhe UAT-në. Me pak vëmendje Teuta mund të ishte renditur edhe në vendin e tretë, pasi duelet me Vllazninë ishin në favorin e saj.
Krahasuar me prezantimet e viteve të fundit, ku Teuta ishte antipod i traditës së saj të njohur dhe hyrjet apo daljet në grupin B ishin të zakonshme, konkurrimi i tanishëm është nga më tërheqësit. Nën drejtimin e trajnerit Sotiraq Mëngjesi, basketbollistët e Teutës arritën deri në fazën e play off-it për të diskutuar titullin kampion, çka nuk kishte ngjarë më parë.
Në gjirin e Teutës luajnë basketbollistë me të ardhme si Klevis Isaku, Ilmi Pasha, Denis Veselaga, Ervin Berberi, Klejdi Domi dhe Bledar Dodaj. Meritë në këtë pozicion nderues kanë edhe basketbollistët e ardhur nga merkata si Erion Llazani, Fation Taraboshi, Enio Fjolla dhe Elton Saliaga.
Presidenti i ekipit, Eduart Tafa shpjegon: “Sezonin e ardhshëm do të kemi një Teutë akoma më kompetitive. Do të synojmë që krahas basketbollistëve me të ardhme nga Durrësi, të sjellim në ekip edhe lojtarë cilësorë që ndikojnë në rritjen e reputacionin e sportit të koshit në Durrës”.