Java e 12-të e Superligës në basketboll për meshkuj nuk ka rezervuar asnjë surprizë, pasi të gjitha ekipet e kreut kanë fituar në përballjet e tyre, duke u shkëputur edhe më shumë nga “treshja” ndjekëse, që duelon për mbijetesë.
Tirana, Teuta e Partizani kanë korrur fitore të lehtë, respektivisht ndaj Kamza Basket, Barleti Eagle e Vllaznisë, duke e kthyer titullin në një duel mes tyre. Kampionët bardheblu mundën me lehtësi në “Fahrie Hoti” Kamzën me shifrat 107-88, një fitore pa shumë mundim e Tiranës, që korri suksesin e 11-të sezonal.
Vendasit e dominuan gjatë gjithë kohës ndeshjen, duke u shkëputur që në fillim, “skenë” që u verifikua edhe në fitoren e thellë te Teutës ndaj Barleti Eagles me shifrat 93-66. Durrsakët patën epërsi gjatë gjithë kohës, duke e merituar fitoren dhe qëndrojnë 1 pikë pas Tiranës.
Fiton edhe Partizani, që mundi me lehtësi 82-73 Vllazninë, ndeshje e komanduar nga të kuqtë dhe e luajtur në “Asllan Rusi”. Partizani u shkëput deri në 23 pikë dhe më pas administroi avantazhin, ndërsa miqtë nga Shkodra, në fund, vetëm sa ngushtuan shifrat.
U luajtën edhe takimet e Kategorisë së Parë për meshkuj, të vlefshme për javën e 12-të. Skuadra e Goga Basket vijon të marshojë drejt Superligës, duke qëndruar e pathyeshme në kampionat dhe sot regjistroi suksesin e 10-të. Durrsakët mundën 92-55 Elbasanin në fushën e këtij të fundit.
Fitoren e parë sezonale korri Skënderbeu, që mundi 66-54 Apoloninë, një fitore më së shumti për statistikë, ardhur vetëm në periodën e katërt, kur koçarët përmbysën shifrat në duelin e luajtur në fushën e tyre.
BASKETBOLL – SUPERLIGA MESHKUJ, JAVA E 12-TË (3 mars)
Partizani – Vllaznia, 82-73
Teuta – Barleti Eagle, 93-66
Tirana – Kamza Basket, 107-88
Renditja: Tirana 22 pikë (11/1), Teuta 21 pikë (9/3), Partizani 20 pikë (8/4), Vllaznia 17 pikë (5/7), Kamza Basket 15 pikë (3/9), Barleti Eagles 12 pikë (0/12).
BASKETBOLL – KATEGORIA E PARË MESHKUJ, JAVA E 12-TË (3 mars)
Elbasani – Goga Basket, 55-92
Skënderbeu – Apolonia, 66-54
Flamurtari (pushim)
Renditja: Goga Basket 20 pikë (10/0), Flamurtari 16 pikë (7/2), Elbasani 13 pikë (3/7), Apolonia 12 pikë (3/6), Skënderbeu 11 pikë (1/9).





