Ashtu sikurse pritej, kampionët në fuqi nuk falën në shtëpi dhe triumfuan me rezultatin e thellë 104-76 përballë Dinamos së vendit të fundit.Ndeshja e zhvilluar të shtunën në “Ramazan Njala” u dominua nga durrsakët që nga fillimi e deri në fund.

Teuta i futi “turbon” që në start, teksa e fitoi periodën e parë 30-15.Duke triumfuar 26-19 në çerekun e dytë, bregdetarët e Melzin Lazimit shkuan në pushimin mes dy pjesëve me avantazhin e përgjithshëm 56-34. Gjysma e dytë e ndeshjes ishte më shumë një formalitet për vendësit, të cilët e kontrolluan pa shumë problem lojën.

Pesë lojtarë të Teutës prekën kuotë dyshifrore pikës, ndërsa shënuesi më i mirë ishte Frenki Lilaj me 18. Abdel Gjyzeli, me 21 pikë ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes, por pikët e kapitenit nuk shërbyen për ta shmangur disfatën e Dinamos.