Java e 5-të e Superligës në basketboll për meshkuj ka vijuar me triumfin e skuadrave durrsake të Teutës e Goga Basket, që edhe kryesojnë renditjen. Teuta mundi me lehtësi 95-66 Tiranën në “Ramazan Njala”, ndeshje e dominuar dhe fituar me lehtësi nga “djemtë e detit”.

Dy finalistët e sezonit të kaluar u përballën për herë të parë që prej majit të këtij viti, me Teutën që u hakmorr për titullin humbur vjet në finale e pestë.

Ndeshja u dominua nga durrsakët, që u shkëputën nga perioda në periodë, me Tiranën kampione që është shumë larg nivelit të një viti më parë.

Në Kamëz, skuadra e Goga Basket fitoi 82-73 ndaj ekipit vendës së Kamza Basket, një takim që pati më shumë emocione e rivalitet. Vendasit tentuan të surprizojnë Gogën, por pa forcën e duhur, pasi miqtë nga Durrësi ishin më të saktë në momentet vendimtar falë edhe një skuadre më të kompletuar dhe e merituan fitoren.