3 mars 2015 –  Teuta në basketboll për meshkuj afrohet edhe më shumë me Superligën. Në ndeshjen e javës së 9-të në Kategorinë e Parë, durrsakët e trajnerit Bekim Abrazhda morën fitoren e shtatë në sezon në transfertën korçare. Rezultati final ishte 74-65. Ndeshja ka qenë me dy tablo, një pjesë e parë e dominuar në lojë e rezultat nga skuadra mike dhe një pjesë e dytë e diktuar nga korçarët. Megjithatë, përcaktuese e sfidës ka qenë pikërisht perioda e parë, çka u jep më shumë kurajë “djemve të detit” për minutat në vazhdim.

Me petkun e kryesuesit, Teuta nuk e ndien frikën e transfertës dhe sulmon që në fillim. Basketbollistët miq janë të saktë në finalizime dhe më të organizuar përballë një Skënderbeu nën hije. Kështu, 10-minutëshi i parë fitohet me lehtësi 31-13. Skënderbeu nuk gjen forcën të rikuperojë, ndërsa Teuta kërkon ta mbyllë me çdo kusht ndeshjen para kohe. Teuta e mbyll në favor të saj edhe periodën e dytë 17-9. Pas pushimit, Skënderbeu ndryshon në lojën e saj e prezantohet në parket më e freskët, ndryshe nga dy periodat e para që ishte e shthurur. Korçarët japin një sinjal shprese në periodën e tretë që fiton 16-11. Kundërshtarët zihen “mat” edhe në periodën e fundit 27-15, por që si rezultat nuk është i mjaftueshëm për vendësit për të evituar humbjen e 8-të në kampionat. Teuta ecën e sigurt drejt elitës me 16 pikë, ndërsa Skënderbeu nuk i ndahet fundit të tabelës.